Lajmet e fundit

Kuvendi mblidhet më 1 qershor

, 25.05.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten e ardhshme, më 1 qershor dhe ka miratuar rendin e ditës për këtë seancë.

Është paraparë të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligjit për Operën, Baletin dhe Filarmoninë e Kosovës, si dhe ai për Mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për lëndën arkivore dhe arkivat, ai për Nxitjen, mbrojtjen dhe promovimin e të ushqyerit me qumësht të gjirit të nënës dhe ai për Hulumtimet gjeologjike.

Në po këtë seancë është paraparë të shqyrtohet propozimi për emërimin e z. Altay Suroy, zëvendësministër të Drejtësisë, kurse një ditë e veçantë e kësaj seance do t’i kushtohet shqyrtimit të Raportit përfundimtar për buxhetin e vitit 2005.

Kryesia po në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të grupeve parlamentare, të komisioneve dhe të deputetëve të veçantë. Kështu bashkë me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për interpelancë të Kryeministrit të Kosovës, ka shqyrtuar edhe informatën e zotëri Çekut lidhur me shpalljen e Ligjit për të drejtat e pjesëtarëve tё luftës sё UÇK-sё, familjeve tё dëshmorëve dhe viktimave civile tё luftës, dhe ka vendosur që çështja e interpelancës të vihet në procedurë të rregullt parlamentare.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim për shtyrjen e shqyrtimit të dytë të Projektligjit mbi përdorimin e gjuhëve, Kryesia ka vlerësuar se duhet të përshpejtohet miratimi i këtij projektligji, siç sugjerojnë faktorët ndërkombëtarë.

Një kohë të gjatë të mbledhjes së Kryesisë ka marrë shqyrtimi i kërkesës së Grupit parlamentar “Për integrim” për emërimin e anëtarëve të këtij grupi në komisionet e Kuvendit. Derisa përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha parlamentare (LDK-së dhe PDK-së) kanë mbështetur idenë se deputetët e grupeve të vogla parlamentare duhet të shkarkohen nga përfaqësimi i dyfishtë i anëtarëve të tyre nëpër komisionet e Kuvendit, përfaqësuesi i Grupit parlamentar 6+ nuk e ka pranuar këtë zgjidhje, kurse përfaqësuesi i ORA-s ka propozuar që numri i tetë komisioneve të shtohet për nga dy anëtarë ( nga një nga radhët e LDK-së dhe nga një tjetër nga Grupi parlamentar “Për integrim”, për çdo komision). Çështja ka mbetur të shtrohet edhe një herë në një takim të përbashkët të Kryesisë me grupet parlamentare.

Duke e shqyrtuar kërkesën e Lëvizja intelektuale për referendum (LIR), për inicimin e procedurës për Referendumin statusor, Kryesia ka konstatuar se Kosova nuk ka ligj për referendumet, kurse anëtarë të veçantë të saj kanë vlerësuar se nuk është praktikë e mirë që qytetarëve t’u shtrohen tri pyetje, siç parasheh LIR-i.

Kryesia ka tumirë propozimin e Komisionit për çështje gjyqësore, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për inicimin e procedurës për zgjedhjen e avokatit të popullit, si dhe disa kërkesa të këtij komisioni dhe të atij për Shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale për kohë shtesë për shqyrtimin e disa projektligjeve në procedurë.

Anëtarët e Kryesisë nuk kanë qenë të kënaqur me informatën e Qeverisë lidhur me pagat e anëtarëve të Agjencioneve dhe Komisionit Rregullativ dhe kanë kërkuar informatë shtesë për atë se sa janë dhe kush ka vendosur për pagat e punonjësve të të gjitha agjencioneve.

Duke shqyrtuar një varg kërkesash të deputetëve për kompensimin e shpenzimeve gjatë vizitave jashtë vendit, Kryesia ka vlerësuar se është tepruar me vizita të tilla, shpeshherë fare të panevojshme dhe joproduktive. Është vlerësuar se praktika e pagimit të gjysmës së mëditjeve nga ana e Kuvendit për vizita me shpenzime të organizatorit a të donatorëve, është motiv shtesë për një numër deputetësh që të realizojnë sa më shumë vizita të tilla. Është vendosur që Kryesia ta shqyrtojë edhe një herë çështjen e kompensimit të shpenzimeve të deputetëve për vizita të realizuara jashtë vendit, kur nuk janë të lidhura me përfaqësimin zyrtar të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi mblidhet më 1 qershor