Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 25.05.2006
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e këtij komisioni, shqyrtoi Raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2005. Me këtë rast u theksua se është e nevojshme të bëhet më shumë në çështjen e planifikimit të procesit të prokurimit. Është bërë të thuash dukuri që agjensionet shpenzuese në momentin e fundit të shpallin tenderët, duke kërkuar pastaj që sa më shpejt të kryhet procedura, ndërsa nga ana tjetër patjetër duhet të zbatohen afatet ligjore të realizimit të tenderëve. Për të mos ndodhur kjo, u tha se është e nevojshme që agjensionet shpenzuese qysh në fillim të vitit të bëjnë planifikimin e procesit të prokurimit. Nga vërejtjet që u dhanë Komisioni do të hartojë një raport që do t’ i prezantohet Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Në vijim Komisioni shqyrtoi edhe Raportin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me vërejtjet e Zyrës Ligjore të UNMIK-ut në Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta nr. 2004/45, miratuar më 27.09.2004. Përkitazi me këtë Komisioni kërkoi që t’ i ofrohet një letër përcjellëse se pse është bërë ulja e aq e madhe e gjobave në disa amendamente të propozuara .