Lajmet e fundit
Gjenerali Uesli Klark foli para deputetëve të Kuvendit të Kosovës
, 25.05.2006
Kuvendi i Kosovës, kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar, mbajti sot një seancë solemne. Në këtë seancë me një fjalë rasti deputetëve iu drejtua, gjenerali i njohur amerikan , tash në pension, miku i madh i Kosovës, Uesli Klark.
Duke hapur këtë seancë, kryeparlamentari Berisha iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë:”
I nderuari President Sejdiu,
I nderuari Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Petersen,
Kolegë të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë, nderin dhe privilegjin e veçantë që sot, para Jush, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, t’ ua prezantoj dhe, natyrisht, pas pak minutash, t’ia jap fjalën, njeriut, i cili, shtatë vjet më parë, duke u vënë në ballë të Fuqisë më të madhe të botës – Aleancës Veriatlantike - e shpëtoi nga shfarosja totale një popull të tërë, racën më të vjetër në Ballkan dhe njërën ndër më të vjetrat në Evropë; e shpëtoi nga përmbytja, pothuajse, apokaliptike, ku e shtynte me dhunë makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e regjimit më famëkeq në historinë e njerëzimit, dhe ia mundësoi kthimin e sërishëm dhe të sigurt, përmes një ringjalljeje, pothuajse biblike.
Ta prezantoj para Jush, dhe ta ftoj për të paraqitur fjalën përshëndetëse, njeriun i cili, bashkë me presidentin Klinton, me Sekretaren e Shtetit, znj. Medllin Ollbrajt dhe me shumë të tjerë që e përkrahen dhe e ndihmuan, jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në ekzekutim, e respektoi dhe realizoi me përpikëri, edhe të ashtuquajturin “Kërcënim i kërshëndellave”, të Bushit të vjetër.
Dhe, më në fund, kam kënaqësinë, nderin dhe privilegjin e veçantë që ta prezantoj para Jush, njeriun, emri i të cilit, jo vetëm që tashmë është i njohur dhe shqiptohet me respekt e pietet të lartë, por që hyri fuqishëm në mënyrën më meritore në historinë më të re të Kosovës. Njeriun i cili pati vizion, kurajo dhe vendosmëri për te marrë veprime të mëdha, veprime nga ato që stampohen fort në histori dhe nuk harrohen kurrë nga brezat.
Të nderuar të pranishëm,
Gëte thotë: “Mik, kohërat e arta kanë kaluar, por njerëzit e mirë i kthejnë sërish ato”. Duke i thënë edhe njëherë faleminderit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën , ftoj njërin ndër ata njerëzit e mirë të cilët ia kthyen Kosovës këto kohë të arta – kohën e lirisë dhe të pavarësisë, ftoj Gjeneralin e madh, Uesli Klark që ta marrë fjalën”!
Ky është agimi i një epoke të re
Duke u falënderuar për këtë pritje të ngrohtë Gjenerali Uesli Klark iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë : “ Zotëri kryetar, faleminderit shumë për ato fjalë të mira. Zotëri kryetar, kryeministër Çeku, deputetë të Kuvendit dhe miq. Jam shumë i lumtur që sot jam me ju këtu. Është nder shumë i madh për mua, dhe i pranoj fjalët e thëna si mirënjohje edhe në emër të gjithë neve, të cilët punuam, luftuam, dhe shpresuam për këtë ditë e cila po u vjen. Atë që pata mundësi ta bëj këtu, nuk e bëra vetëm, dhe më duhet të pranoj këtë. Ishte lidershipi i kryetarit Klinton dhe Sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, kryeministri Toni Blair, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s dhe kolegët e mi oficerë nga forcat e armatosura, Kongresi ynë dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët e panë padrejtësinë që po ndodhte këtu dhe të cilët donin ta kthenin drejtësinë, t’i ndihmonin popullit të Kosovës dhe t’i ndihmonin Evropës të ecë përpara. Kështu që sot po u sjell përshëndetjet dhe urimet më të mira nga miqtë tuaj të shumtë nga Shtetet e Bashkuara, dhe natyrisht, edhe nga shumë anëtarë të diasporës nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët i kam takuar në udhëtimet e mia në mbarë Amerikën. Veçanërisht jam mirënjohës për ftesën që kam marrë nga miku im Çeku që të vijë këtu. Kjo është hera e parë që po kthehem në Kosovë, që kur e kam hequr uniformën dhe janë bërë më shumë se gjashtë vjet që kur isha këtu herën e fundit. Është kënaqësi e madhe që po ju shoh prapë të gjithëve, por veçanërisht Juve, zotëri kryeministër. Unë pata rastin ta njoh Kryeministrin tuaj kur ai po e udhëhiqte UÇK-në dhe kur ne po e krijonim konceptin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Fillova ta kuptoj se ai ishte një burrë shumë i veçantë. Natyrisht, ai ishte burrë ushtarak, i rritur këtu, por që kishte shërbyer në Ushtrinë Jugosllave. Më vonë kishte shërbyer edhe në Ushtrinë e Kroacisë, dhe kishte marrë pjesë në operacionet e ushtrisë kroate në vitin 1995, para se të kthehej këtu. Ishte burrë me njohuri të gjëra, por ishte më shumë se një burrë ushtarak. Ishte një njeri që zgjidhte probleme; një njeri që në mënyrë të qetë dhe me arsye merrej me çështjet. Ai ishte figura kyçe, e cila na ndihmoi që të tejkalojmë ca vështirësi, për të cilat disa mendonin se ishin problemi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Na ndihmoi që të krijojmë një organizatë shumë të dobishme dhe produktive. Të uroj pra Agim për lidershipin tënd dhe të uroj për pozitën tënde këtu, sepse mendoj se talentet tuaja mund t’i realizosh këtu në Qeveri dhe në punën e rëndësishme që e keni përpara. Mendoj se ky është agimi i një epoke të re, dhe gjatë bisedave me njerëzit në Kosovë dhe shëtitjes në 24 orët e fundit, kam mundur ta vërej diellin duke lindur. Do të jetë një agim i mrekullueshëm. Pas njëzet viteve të vështira, ose treqind e më shumë viteve të vështira, kjo do të jetë një arritje e madhe. Do të jetë arsye e madhe për t’u festuar. Do të hapë një kapitull të ri në historinë tuaj. Do të kërkohet shumë punë, përkushtim dhe sakrificë në ditët që vijnë, por e ardhmja, me të vërtetë është në duart e juaja. Ju do t’i krijoni idetë, besimin, dhe institucionet të cilat me të vërtetë do të krijojnë bazën për përparim në Kosovë. Qëllimin të cilin e synoni është të ndërtoni një shtet demokratik, stabël, dhe të begatshëm, i cili do t’i ofrojë secilit qytetar, të cilitdo komunitet, mundësinë të jetojë në paqe dhe dinjitet, dhe të bëhet anëtar i komunitetit euro-atlantik. Dua t’u ofrojë përkrahjen time të plotë personale përderisa ju e synoni këtë qëllim, dhe jam i bindur që ju do ta realizoni atë. Jam i bindur që procesi në të cilin gjendeni tani për zgjidhjen e çështjes së statusit final, do të përfundojë dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi, Kosova do të bëhet, ashtu siç duhet të jetë, shtet i pavarur.
Standardet janë ato që do ta bëjnë Kosovën stabile, të sigurt, demokratike dhe të begatshme
Ju e keni dëgjuar bashkësinë ndërkombëtare të thotë disa herë se duhet të përmbushen disa standarde para se të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës, por unë do ta thoja në një mënyrë tjetër, që standardet janë ato që do ta bëjnë Kosovën stabile, të sigurt, demokratike, dhe të begatshme. Këto standarde do ta bëjnë Kosovën asi lloj shteti modern, për të cilin Ibrahim Rugova, Adem Jashari, dhe shumë të tjerë luftuan dhe dhanë jetën e tyre. Kështu që, ndërtimi i kësaj shoqërie dhe përmbushja e këtyre standardeve nuk bëhet për t’u dorëzuar para presionit nga jashtë apo për t’i kënaqur të huajt. Në fakt, është e kundërta. Është veprimi i duhur për ju, për fëmijët tuaj dhe për gjeneratat e ardhshme. Për këtë arsye mendoj se ju mund ta kuptoni se kjo e ardhme është në duart tuaja dhe ju do t’i realizoni këto.
Edhe ju do te tejkaloni dhembjen
Kur në vendin tim luftonim për pavarësi kudër Britanisë, ne patëm dy mundësi para nesh: të mbajmë inat dhe ndjenja hakmarrjeje ndaj monarkisë Britanike, ose të ecim përpara dhe t’i inkorporojmë e të punojmë me ata që më herët nuk pajtoheshin me ne. Në atë rast ne u përcaktuam për variantin e dytë. Nuk ishte e lehtë, kishim njerëz që ishin përndjekur edhe abuzuar gjatë luftës se revolucioni amerikan. Por si komb, Amerika kapërceu atë moment dhe mendoj se edhe ju do te tejkaloni dhembjen dhe mundimin drejt cakut për gjetjen e një të ardhme më të ndritshme. Kjo gjë kërkon vendime të vështira madje edhe ndryshime në të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse nga mazhoranca kërkohet që të drejtat e pakicave të respektohen plotësisht nga të gjithë, që të sundojë ligji dhe qe qeveria teë shërbejë në interes të të gjithë qytetareve te saj. Këtë mëngjes unë u takova me ekipin e unitetit dhe jam i bindur se udhëheqësit tuaj janë të përkushtuar që këto synime t’ i realizojnë në praktikë. Por këto synime të shumicës në Kosove duhet të pranohen edhe nga pakicat ne Kosovë. Realiteti i demokracisë është që pakicat të respektojnë vullnetin e shumicës dhe që pakicat të jetojnë sikurse shumica në baze të sundimit të ligjit, dhe pakicat ashtu sikurse edhe shumica duhet të marrin pjesë në institucionet e vendit. Natyrisht që mund të ketë marrëdhënie shoqërore apo vëllazërore me vendet fqinje të bazuara në lidhje etnike apo fetare, por nuk mund të ketë autoritete shtetërore paralele të kontrolluara nga jashtë Kosovës. Mendoj, që nëse i shikoni vendet e rajonit mund të gjeni shembuj se si krijohen lidhjet me ato jashtë kufirit pa ndërhyrje, apo ndikim të panevojshëm nga atje. Fundi i fundit ajo që mund të jetë e drejt për serbët në Kosovë mund të jetë e drejtë për shqiptarët në Serbi. Propozimet për decentralizim ,që Qeveria të jetë më afër popullit , të cilat unë i kam parë, më duken si qasje e shëndoshë dhe diçka të cilën ju mund ta ndërtoni për ta bërë shtetin tuaj më të fortë dhe më të begatshëm. Do të ballafaqoheni me sfidat e krijimit të marrëdhënieve me shtetet e tjera të rajonit, sepse nuk mund të ketë të ardhme të sigurt dhe prosperuese për Kosovën nëse rajoni do të jetë jostabel dhe i varfër. Të jemi të sinqertë, marrëdhëniet e ardhshme me Serbinë do të jenë më të vështira. Kjo gjë do të kërkoje shumë durim dhe disiplinë për të tejkaluar frikën , pasigurinë dhe historinë e së kaluarës. Qytetarët dhe udhëheqësit e Serbisë kanë përgjegjësi edhe më të madhe për t’ u ballafaquar dhe për të lënë prapa të kaluarën e tyre shkatërrimtare ,por do të kenë nevojë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj për të arritur atë qëllim. BE-ja dhe NATO-ja kanë përvojë të konsiderueshme për të ndihmuar qeveritë, që të tejkalojnë rivalitetet dhe mungesën e besimit të së kaluarës . E di që BE-ja dhe NATO-ja po përpiqen të ndihmojnë shtetet e Ballkanit për të tejkaluar ndasitë e hidhura historike të rajonit . Por të gjithë ne nuk mund të ecim përpara në ardhmëri nëse nuk jemi në gjendje të shikojmë përtej së kaluarës. Ne ,në SHBA, gjithnjë themi me shaka se amerikanët nuk e kujtojnë historinë e tyre, por kur të vijnë në Evrope shihet sa shumë ruhet kujtimi i së kaluarës historike. Disi duhet ta gjejmë mesin më të mirë të të dy këtyre botërave, sepse kjo është një kohë në Kosovë, kur duhet të mendoni për të ardhmen; një të ardhme përtej kohës së pasigurive,(është fjala për sigurinë fizike), një e ardhme përtej kohës kur ushtritë kalonin kufijtë e njëri tjetrit. E di se kjo gjë ka ndodhur në një të kaluar jo të largët dhe e di se ka pasur dhembje e tragjedi . Por ju jeni nisur drejt një të ardhme të re, e ardhme që do të definohet nga ekonomia juaj, kur njerëzit në këtë vend, në këtë shtet të pavarur, do të mund të ndërtojnë afarizëm të suksesshëm, që mund të tërheqin investime të huaja, që të bindin rininë për të studiuar me zell, të arrijnë shumë dhe të realizojnë ëndrrat për prosperitet dhe të gjitha këto janë të mundshme. Unë kam udhëtuar nëpër botë ashtu sikurse dhe shumica prej jush dhe kam parë shoqëri në të cilat rinia mund t’i realizoj këto ëndrra duke u përgatitur, punuar dhe studiuar. I kam parë shoqëritë në të cilat investitorët nga jashtë janë bindur që të sjellin me qindra miliona dollar dhe të eksploatojnë burimet natyrore, talentet dhe institucionet, dhe e gjithë kjo është e mundur edhe këtu. Ju mund ta ndërtoni këtë ekonomi të madhe, të jepni shpresë dhe begati, një ndjenjë për punë dhe të ardhme të ndritshme për çdo qytetar. Të gjitha këto janë të mundshme.
Udhëheqësit kanë përgjegjësi, por përgjegjësi kanë edhe qytetarët e zakonshëm
Besoj që në afat të shkurtë do të vazhdoni të punoni me misionin e OKB-së në Kosovë, dhe do të vazhdoni të themeloni një kornizë të mirë të politikave ekonomike. Por shumë shpejt duhet të shikoni përtej mbështetjes së institucioneve qeveritare dhe ndërqeveritare ndërkombëtare dhe të punoni me investitorë privatë. Ata që i duan investitorët privatë, dhe pasi që tani nuk jam më në uniform, jam një nga këta të komunitetit afarist, janë rregulla të qarta dhe të drejta të lojës. Kështu që ju inkurajoj të punoni shumë në krijimin e një ambienti të mirë afarist, të tërhiqni investitorë të huaj, t’iu tregojmë talentin dhe energjinë e popullit të kësaj pjesë të mirë të Evropës. Dhe mbi të gjitha të themelohet një ambient i sinqeritetit, integritetit dhe i qeverisjes ku njerëzit nga vendet e largëta do të jenë të sigurt se nëse investojnë parat e tyre këtu do të jenq të sigurta dhe profitabile. Ky është çelësi i zhvillimit ekonomik dhe i një të ardhme të ndritshme. Në përfundim më lejoni t’ i them disa fjalë lidhur me përgjegjësinq qytetare. Natyrisht që udhëheqësit kanë përgjegjësi, por përgjegjësi kanë edhe qytetarët e zakonshëm. Gjatë të kaluarës nën sundimin e Beogradit ishte e kuptueshme që institucionet qeveritare dhe ligjet janë parë si instrumente të shtypjes, të cilat duhej shmangur ose injoruar. Këtë e kam parë në mbarë rajonin e Ballkanit. Një nga tiparet më të shëmtuara të regjimit të Milosheviqit ka qenë kontrabanda, mospagesa e tatimeve dhe e shërbimeve publike. Kjo gjë ishte dukuri endemike e tërë rajonit. Disa njerëz këtë e shikonin si mosbindje e ligjshme qytetare dhe si rezistencë ndaj dominimit të jashtëm. Por ajo kohë ka kaluar dhe tani Qeveria e Kosovës është populli i Kosovës, dhe çdo qytetar duhet të pranojë pjesën e vet të përgjegjësisë për të përkrahur Qeverinë, për të paguar tatimet, faturat e tyre dhe të bashkëpunojnë me forcat e rendit edhe kjo është karakteristikë e një shoqërie të suksesshme. Me forcimin e këtij bashkëpunimi, në Kosovë do të këtë më shumë mundësi për rritje ekonomike, zhvillim dhe vende të punës. Kështu që më lejoni në përfundim të shpreh edhe njëherë mirënjohjen për rastin që të vij këtu, dhe faleminderit Agim personalisht për këtë. Nuk mund t’iu them se sa domethënie ka kjo për mua që të kthehem pas gjashtë viteve dhe të shohë këtë vend plot prosperitet dhe shpresë, në prag të agut madhështor, me mundësi të mëdha për popullin e tij. Dhe më lejoni t’ ju inkurajoj që të shkoni në të ardhmen me optimizëm, vizion, zemërgjerësi dhe shpresë, sepse prej jush varet e ardhmja e Kosovës. Me kurajën dhe përkushtimin që kam parë tek njerëzit e këtij vendi, të pafundme janë mundësitë për suksese, nëse punoni së bashku. Ju faleminderit shumë për këtë nder të madh që më bëni dhe ju uroj fat” ! Duke falënderuar Gjeneralin Klark për këtë fjalë të ngrohtë , në përmbullje të kësaj seance solemne , kryeparlamentari Berisha tha:”Për Kosovën dhe në Kosovë ju do të mbeteni gjithmonë një gjeneral i madh”.