Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti zëvendës shefen e Zyrës Italiane në Prishtinë, Gloria Di Lucia

, 26.05.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot zëvendës shefen e Zyrës Italiane në Prishtinë, Gloria Di Lucia, e cila shoqërohej nga analisti në Qendrën për studime politike, ushtarake dhe strategjike në Romë, Paolo Quercia.

Në takim është vlerësuar lart bashkëpunimi ndërmjet ty dy vendeve dhe është shprehur vullneti që ai të thellohet edhe më, kurse kryeparlamentari Berisha u është përgjigjur interesimeve të mysafirëve për proceset aktuale politike në Kosovë, gjendjen e sigurisë, garancitë që ofron Kosova për minoritetet, si dhe për shanset e zhvillimit të Kosovës në të ardhmen.

Kosova do të jetë vend i lirë e demokratik, me të gjitha garancitë për zhvillimin e papenguar të të gjitha minoriteteve, sidomos të serbëve, ka theksuar kreu i legjislativit të vendit. Berisha është shprehur i bindur Kosova e do të kultivojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe do të jetë faktor stabiliteti në rajon.

Zëvendës shefja e Zyrës Italiane në Prishtinë, Gloria Di Lucia, ka shprehur interesin e vendit të saj për zhvillime pozitive në Kosovë dhe forcimin e paqes në rajon, kurse analistin në Qendrën për studime politike, ushtarake dhe strategjike në Romë, Paolo Quercia, ka theksuar se sa i përket qendrës ku punon, nuk ka asnjë dyshim se Kosova do të jetë e pavarur, por se çështja qëndron tek koha, rrethanat në të cilat do të realizohet ajo, si dhe nga niveli sigurisë që do të reflektojë. Ai ka pohuar se ndodhet në Kosovë për të kompletuar një raport studiues për Kosovën e pas statusit në aspektin e sigurisë dhe të stabilitetit dhe në këtë vështrim është interesuar për shanset e stabilitetit të vendit.

 Berisha është përgjigjur se në Kosovë do të vazhdojë prania ushtarake e NATO-s dhe se zhvillimi i përshpejtuar ekonomik i vendit do të pakësojë shanset për destabilizim

Kryeparlamentari  Berisha priti zëvendës shefen e Zyrës Italiane në Prishtinë, Gloria Di Lucia