Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e Zyrës Italiane, Patrik Mura
, 29.05.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti shefin e Zyrës Italiane në Prishtinë , Patrik Mura, të cilin e shoqëronte Don Benvenuti nga kontigjenti Italian i KFOR-it në Kosovë.
Shefi i Zyrës Italiane , Mura , në emër të Qeverisë Italiane dhe të Grupit të Kontaktit transmetoi vlerësimet e larta për punën që po bëhet në Kosovë në përmbushjen e standardeve, për rolin e Kuvendit dhe kontributin aktiv të kryetarit të Kuvendit , z.Kolë Berisha, për promovim të dialogut demokratik në Parlament . Ai shprehu gatishmërinë e Italisë për përkrahje në këto procese me qëllim që sa më shpejt të gjendet zgjidhja për Kosovën.
“Edhe Qeveria e re e Italisë nuk do ketë qëndrime të ndryshme, por do të vazhdojë me të njëjtin kurs lidhur me Kosovën, sikurse qeveria e deritashme “,tha Patrik Mura.
Kryetari i Kuvendit ,Kolë Berisha, paraqiti një pasqyrë të proceseve aktuale në Kosovë me aksent të posaçëm në punën , procedurat dhe prioritet e miratimit të ligjeve në Parlamentin e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha e njoftoi z. Mura edhe lidhur me punën e deritashme të Grupit Negociator, duke theksuar se pala kosovare, si edhe më parë, do të vazhdojë të ofrojë përkushtim e konstruktivitet në këtë proces . Sa i përket interesimit të diplomatit italian lidhur me përgatitjet për takimin e radhës në Vjenë, kryeparlamentari Berisha theksoi se pala kosovare është përgatitur për këtë takim, ka bërë gati dokumentin e hartuar nga ekspertët lidhur me borxhet bankare, kreditë e mëhershme, reparacionet e luftës , depozitat etj. Ne do të kërkojmë të drejtat tona dhe jemi të gatshëm të paguajmë pjesën tonë të borxheve eventuale ,tha z.Berisha.
Ndërkaq, don Benvenuti paraqiti një pjesë të angazhimeve të deritashme të KFOR-it dhe u interesua për format e mëtejshme të bashkëpunimit dhe ndihmesës që mund të japë Italia për Kosovën.