Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare
, 30.05.2006
Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të shefave të grupeve parlamentare, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, është shqyrtuar çështja e kompensimit të shpenzimeve të deputetëve gjatë vizitave jashtë vendit, kur shpenzimet mbulohen nga organizatorët apo donatorët e takimeve. Është vlerësuar se pagimi i gjysmës së mëditjeve nga ana e Kuvendit, në rate të tilla, ka ngarkuar buxhetin e Kuvendit dhe ka stimuluar udhëtimet e deputetëve jashtë vendit, për të marrë pjesë edhe në takime jo shumë të rëndësishme. Kryesia ka vendosur njëzëri që për udhëtime të tilla të paguhet 30 për qind e vlerës së mëditjes për vendin e dhënë, gjithnjë duke e dokumentuar ftesën zyrtare të deputetit për takim dhe të konfirmuar nga shefi i grupit parlamentar.
Kohën më të gjatë të mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare e ka marrë, ndërkaq, shqyrtimi i kërkesës së Grupit parlamentar “Për integrim” për emërimin e anëtarëve të këtij grupi në komisionet e Kuvendit. Pasi janë shoshitur argumentet dhe kundër argumentet për secilën zgjidhje të ofruar nga interesat dhe këndshikimet e grupeve parlamentare, është vendosur që konform ruajtjes fuqisë politike të subjekteve dhe balancave, të shtohen për nga dy anëtarë në tetë komisionet funksionale, nga të cilët tetë anëtarë do të jenë të pozitës ( të LDK-së) dhe tetë të tjerë të opozitës (gashtë të Grupit parlamentar “Për integrim” dhe dy të PDK-së).
Në po këtë takim është shqyrtuar kalendari i ri i mbajtjes së seancave plenare, por edhe i aktiviteteve të tjera të Kuvendit, i cili do t’u paraqitet deputetëve për miratim. Sipas këtij plani Kuvendi të mblidhet dy herë në muaj, kurse në kohë intensive të punës edhe tre herë në muaj. Është vendosur, ndërkaq që para çdo seance, pos me Kryesinë të mbahen mbledhje edhe me grupet dhe komisionet parlamentare, për të përcaktuar mirë rendin e ditës për seancën vijuese dhe çështjet e ngutshme, në mënyrë që të mënjanohen debatet e stërzgjatura për këto çështje në fillim të seancave parlamentare.
Në funksion të dinamizmit të jetës parlamentare dhe përballjes me aktualitetin, Kryesia ka vlerësuar se duhet të shkurtohet afati për interpelancat e kryeministrit apo të ministrave të Qeverisë së Kosovës (7 ditë për të dhënë përgjigjen Qeveria dhe 7 të tjera që interpelanca të radhitet për seancë).
Në këtë takim është vendosur që Kuvendi i Kosovës, në funksion të kompetencave dhe të zbatimit të ligjit ta nxjerrë Gazetën Zyrtare, në të cilën do të publikohen ligjet e miratuara, të shpallura.