Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të të Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës

, 30.05.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot një delegacion të Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës, të kryesuar nga Iljaz Kurteshi, kryetar. Temë themelore e këtij takimi ishte pozita e rëndë sociale me të cilën po ballafaqohen pensionistët dhe invalidët e punës të Kosovës, si dhe përpjekjet që duhet të bëhen për përmirësimin e pozitës së tyre. Pensionistët nuk kanë pensione, ato para që marrin në emër të tyre janë ndihma sociale. Edhe në këto kushte ekzistuese, pensionistet meritojnë një përkrahje më të madhe , por ajo për fat të keq mungon, megjithëse ajo na premtohet. Ne nuk duam protesta, theksuan anëtarët e delegacionit, por ndihemi shumë të braktisur, këtë e tregon edhe fakti se askush nuk na viziton për t’ u njohur me hallet që kemi, theksuan ata.

 Në këtë frymë u shtrua edhe çështja se çfarë janë mundësitë që Kuvendi i Kosovës të kontribuojë për tejkalimin e kësaj gjendjeje të rëndë. U tha se qe 12 muaj është në procedurë Ligji për pensionistët, i cili do të duhej të ishte një si kushtetutë e çështjes sociale, por ai ende nuk po aprovohet.

Kryeparlamentari Berisha njoftoi delegacionin se kërkesat e pensionistëve dhe problemet e tyre nuk janë lënë pas dore, ato shtrohen si proces që kërkon zgjidhje . Ai premtoi një angazhim të shtuar që Ligji për pensionistët të kalojë sa më shpejt në procedurën e miratimit në Kuvend. Problemi i pensioneve, tha kreu i legjislativit, do të shtrohet si një nga kërkesat edhe në Grupin Negociator, si dhe në takimin e parë që do të ketë me kryeministrin Çeku.

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të të Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës