Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendi të Kosovës

, 01.06.2006




Deputetët e Kuvendi të Kosovës, në Seancën plenare, të drejtuar nga kryeparlamentari Berisha, kanë miratuar kalendarin e ri të seancave plenare, të cilat parashihet të mbahen dy herë në muaj, përkatësisht tri herë, në kohë intensive të punës. Sipas këtij plani, seancave do tu paraprijnë takimet me kryetarët e komisioneve, me shefat e gupeve parlamentare dhe me Kryesinë për të përcaktuar mirë rendin e ditës për seancën vijuese.

Shqyrtohen pesë projektligje

Që të miratohet ky plan pune është dashur të bëhen ca ndryshime dhe plotësime të Rregullores së punës së Kuvendit, të cilat janë miratuar me shumicë të votave të deputetëve.

Po në këtë seancë janë shqyrtuar për herë të dytë dhe janë miratuar: Projektligjit për Operën, Baletin dhe Filarmoninë e Kosovës, si dhe ai për Mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. Për herë të parë, ndërkaq, janë shqyrtuar: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lëndën arkivore dhe arkivat, ai për Nxitjen, mbrojtjen dhe promovimin e të ushqyerit me qumësht nëne, si dhe ai për Hulumtimet gjeologjike.

Seanca i vazhdon punimet nesër për të shqyrtuar Raportin përfundimtar për buxhetin e vitit 2005 dhe për të votuar për propozimin e Qeverisë që z. Altay Suroy, të emërohet zëvendësministër i Drejtësisë.