Lajmet e fundit
Komunikatë për shtyp
, 01.06.2006
Në përpjekje për të lëvizur drejt një shoqërie progresive dhe demokratike Kuvendi i Kosovës ka aprovuar planin për standarde. Gjatë seancës së sotme plenare Kryetari i Kuvendit Kolë Berisha ka deklaruar se këto ndryshime janë iniciuar në përpjekje për të krijuar një Kuvend i cili do të funksionojë në përputhje me standardet e parlamenteve të vendeve të tjera demokratike.
Këto ndryshime kryesisht përfshijnë inicimin e periudhave më dinamike të pyetjeve parlamentare dhe po ashtu prezantimin e debatit parlamentar dy orësh që do të zhvillohet në secilën seancë plenare rreth një çështje të caktuar të zgjedhur nga opozita. Së fundi, Kuvendi ka aprovuar përpilimin e planit vjetor të punës dhe mbajtjen e seancave plenare së paku dy herë në muaj.
“Para tre muajve, ju më zgjodhët Kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ju premtova, atë ditë se do të jem në shërbimin tuaj në mënyrë që të ngrisim vlerat demokratike të institucionit tonë. Plani i sotëm është rezultat i konsultimeve të vazhdueshme me deputetët e Kuvendit, me Qeverinë dhe miqtë tanë ndërkombëtar. Në këto momente historike, kur të gjithë i kanë sytë të drejtuar kah Kosova, ka ardhur momenti të shkojmë një hap përpara” deklaroi Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha.
Plani i Kuvendit për standarde do të përmirësojë funksionimin e Kuvendit dhe do të mundësojë mbikëqyrjen më efektive të Qeverisë.