Lajmet e fundit
Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Kolë Berisha
, 01.06.2006
Të nderuar kolegë deputetë,
Shumë shqetësime të arsyeshme janë shprehur lidhur me funksionimin e transparencës si komponentë elementare e demokracisë parlamentare lidhur me procedurat e aplikuara deri më tani.
Më datën 10 mars të këtij viti, kur më zgjodhët kryetar të Kuvendit të Kosovës, ju pata premtuar se:
me tërë qenien time fizike, psikike, morale dhe intelektuale, do të jem në shërbimin Tuaj;
se do të angazhohem që kjo shtëpi e shenjtë prej nga dolën dhe do të dalin aktet që përcaktojnë, që rregullojnë dhe që sanksionojnë sistemin politik, juridik, ekonomik dhe fushat e tjera të jetës në shtetin e nesërm të Kosovës së pavarur dhe sovrane, të jetë vërtet tempull i demokracisë parlamentare; të jetë tempull i fjalës së lirë të deputetit; të jetë zë i fuqishëm i pozitës dhe i opozitës, i shumicës dhe i pakicës. që deputeti të ndjehet vërtet zot i kësaj shtëpie; se, si kryetar i këtij Kuvendi jam i vendosur të merrem me këto shqetësime dhe që, Kuvendin e Kosovës ta sjellim më afër standardeve dhe praktikave parlamentare të vendeve të përparuara.
Se sa ia kam arritur në përmbushjen e këtij premtimi, ua lë Juve që ta vlerësoni, dhe nëse në këtë aspekt është bërë ndonjë hap pozitiv, që, sipas Grupit të Kontaktit, Uashingtonit, Brukselit dhe qendrave tjera ndërkombëtare të vendosjes, vërtet është bërë shumë, atëherë kjo është rezultat i asaj se, që nga dita e parë e punës sime në këtë post, kam mbajtur konsultime përmes kontakteve të vazhdueshme, në radhë të parë, me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, pastaj, me shefat e Grupeve Parlamentare, me kryetarët e Komisioneve, me liderët partiakë, me një pjesë të madhe tuajën kolegë të nderuar, me pjesën administrative, juridike dhe teknike të Kuvendit, me këshilltarët të mi, të cilët, err e terr, kanë qenë dhe janë të angazhuar në kryerjen e pjesës më të madhe të punëve, pastaj, me liderët ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, siç janë: NDI, etj., dhe me këtë rast, të gjithëve do t’ua adresoja një falënderim të veçantë për ndihmën konkrete, për përkrahjen e parezervë dhe për mbështetjen e sinqertë morale që më kanë ofruar.
Dhe, si rezultat i këtyre konsultimeve dhe angazhimeve të përbashkëta të të gjithë atyre që u cekën më lartë në kërkim të gjetjes së formave më të avancuara drejt reformimit dhe demokratizimit të punës së këtij Kuvendi për ta rreshtuar për krah parlamenteve simotra të vendeve më të përparuara, sot para Jush, po e shpall Planin e reformave, i cili, kërkon konsensus të fuqishëm ndërmjet nesh, me qëllim të arritjes së standardeve më të larta demokratike të cilat ia kemi vënë vetes për detyrë.
Ky plan ka të bëjë me:
Pika e parë e reformave është që të miratojmë një kalendar vjetor të Kuvendit të Kosovës. Çdo Parlament në botë e publikon një kalendar prej një faqe, një formati të ngjashëm me atë që ua kemi shpërndarë. Përmes këtij kalendari, njoftohen deputetët dhe shoqëria ne datat e seancave plenare dhe mbledhjeve të tjera të rregullta. Drafti, të cilin ua kemi shpërndarë, propozon të kemi më shumë seanca të rregullta dhe fikse me qëllim që punët t’i kryejmë në mënyrë më të rregullt.
Seancat do të mbaheshin dy herë në muaj gjatë periudhave normale të punës dhe tri herë në muaj gjatë periudhave më intensive të punës. Një javë para seancës do të mbaheshin mbledhje të rregullta me kryetarët e Komisioneve (të martave). Mandej, me shefat e Grupeve Parlamentare (të mërkurave) dhe me Kryesinë (të enjteve). Periudha e pushimit është paraparë të jetë në muajin gusht, megjithëse këtë vit mund të bëjmë përjashtim duke marrë parasysh rrjedhat që po zhvillohen.
Pika e dytë e reformave, që është e afërt me të parën, ka të bëjë me Kalendarin e ngjarjeve ose të aktiviteteve të Kryesisë. Ky kalendar i hollësishëm do të miratohet nga Kryesia çdo dy muaj dhe do të na ndihmojë që t’i organizojmë planet dhe t’i dokumentojmë të arriturat tona më mirë.
Do të mbahet dhe do të postohet në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit.
Pika e tretë e reformave është plani i standardeve, që ka për qëllim të forcojë sovranitetin e Kuvendit dhe llogaridhënien e Qeverisë. Kërkesat e këtij plani janë shumë të qarta:
1. Të ketë periudhë të rregullt për pyetje;
2. Interpelanca të rregullta të udhëhequra nga një grup parlamentar;
3. Plani për mbështetje teknike të komisioneve;
4. Ndryshimi i planit të brendshëm të administratës;
5. Projekt-buxheti i iniciuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe i miratuar nga Kryesia;
6. Përmirësime në menaxhimin e sistemit informativ;
7. Qasje në dokumentet për mediat dhe për publikun; dhe 8. Lista e çështjeve për t’u diskutuar, e cila i jep strukturë rendit të ditës dhe statusit të ligjeve.
Secila pikë e këtij plani do të përshkruhet në hollësi para se t’i afrohemi datës së zbatimit.
Për shumicën e këtyre pikave nuk do të ketë nevojë të bëhen ndryshime në Rregulloren e punës së Kuvendit. Megjithatë, rregullat e tanishme lidhur me periudhën e pyetjeve dhe interpelancat, janë pengesë për zbatimin e reformave. Për këtë arsye është ofruar propozim-ndryshimi dhe plotësimi i disa rregullave të Rregullores, material i cili i është ofruar të gjithë deputetëve, në të cilat praktikisht mundësohet zbatimi i këtyre reformave.
Jam i bindur se me miratimin e këtij plani do të mundësojmë që Kuvendin ta bëjmë më efikas, më funksional dhe më demokratik.
Ju faleminderit!
Kolë Berisha
Kryetari i Kuvendit të Kosovës
1 qershor, 2006