Lajmet e fundit

Plani i Standardeve për Kuvendin e Kosovës

, 01.06.2006




(disa shpjegime themelore)
Plani i Standardeve për Kuvendin e Kosovës

Shumë shqetësime janë shprehur lidhur me funksionimin transparent dhe demokratik të Kuvendit të Kosovës dhe lidhur me procedurat e përdorura në të. Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të merret me këto shqetësime në mënyrë që institucioni më i lartë vendor t’iu afrohet standardeve dhe praktikave të parlamenteve në mbarë botën. Gjatë disa muajve të ardhshëm, do të bëhen disa ndryshime të cilat kanë për synim që dukshëm të përmirësojnë funksionimin, menaxhimin dhe administrimin e institucionit tonë. Këto ndryshime do të ndihmojnë edhe në plotësimin e planit të standardeve për të cilën do të flitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në qershor.

Pika e parë e reformave është miratimi i një kalendar vjetor të punës së Kuvendit të Kosovës. Gati çdo parlament në botë publikon një kalendar të tillë. Përmes këtij kalendari deputetët dhe opinioni i gjerë njoftohen me datat e seancave plenare, mbledhjeve të Kryesisë dhe mbledhjeve të tjera të rregullta. Plani i miratuar ofron mundësi për më shumë seanca të rregullta dhe fikse me qëllim që punët të kryhen në mënyrë më të rregullt. Seancat do të mbahen dy herë në muaj gjatë periudhave normale të punës dhe tri herë në muaj gjatë periudhave më intensive të punës. Një javë para seancës do të mbahen mbledhje të rregullta me kryetarët e komisioneve (të marteve), me shefat e grupeve parlamentare (të mërkurave) dhe me kryesinë (të enjteve). Normalisht muaji gusht parashihet si muaj pushimi, edhe pse këtë vit mund të ketë përjashtim

Pika e dytë e reformave, që është e afërt me të parën, ka të bëjë me kalendarin e aktiviteteve të Kryesisë. Ky kalendar i hollësishëm do të miratohet nga Kryesia çdo dy muaj dhe do të ndihmojë në organizimin më të mirë të punës së saj.

Pika e tretë e reformave, është plani i standardeve që ka për qëllim të forcojë sovranitetin e Kuvendit dhe përmirësoj llogaridhënien e Qeverisë. Kërkesat e këtij plani janë shumë të qarta:

Të ketë periudhë të rregullt për pyetje parlamentare;
Interpelanca të rregullta të iniciuara nga grupet parlamentare;
Plani për mbështetje teknike të komisioneve;
Plani i brendshëm i administratës;
Projekt-buxheti i inicuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe i miratuar nga Kryesia;
Përmirësime në menaxhimin e sistemit informativ; dhe
Media dhe publiku kanë qasje në dokumente zyrtare.

Pse shtrohen pyetjet parlamentare?

Pyetjet parlamentare mund të parashtrohen nga çdo deputet për të kërkuar informacione apo për të kër¬kuar veprim ndaj një çështje të caktuar.

Pyetjet i obligojnë ministrat që të shpjegojnë dhe justifikojnë punën e tyre, vendimet dhe aktivitetet në ministri. Deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë duke para¬shtruar pyetje gjatë “kohës së parashikuar për pyetje”.

Kërkesa për informacione dhe shpjegime gjatë kohës së parashikuar për pyetje është një nga përgjegjësitë vitale të deputetëve dhe paraqet një nga elementet e mbikëqyrjes parlamentare të qeverisë.

Pyetjet parashtrohen paraprakisht me shkrim duke u ofruar anëtarëve të qeverisë kohë për t’u përgatitur.

Ministri përkatës duhet të jetë i njoftuar së paku 2 ditë para seancës plenare në mënyrë që ai të jetë i përgatitur të përgjigjet në pyetjen specifike.

Edhe pse pyetjet parlamentare mund të parashtrohen nga secili deputet, periudha e pyetjeve parlamentare tradicionalisht konsiderohet si “koha e opozitës”.
“Koha e parashikuar për pyetje” paraqet një periudhë të caktuar në kuadër të seancës plenare ku deputetët dhe veçanërisht deputetët nga opozita, parashtrojnë pyetje për anëtarët e qeverisë, të cilët duhet të përgjigjen me gojë aty për aty.