Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, z. Petersen
, 02.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha, priti sot kryeadministratorin e Kosovës , Soren Jessen Petersen. Ky ishte edhe një nga takimet e rregullta për të diskutuar çështjet aktuale dhe veçanërisht ato që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në relacionin Kuvendi i Kosovës - UNMIKU.
Duke u përgjigjur në një shqetësim të kryetarit të Kuvendit lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohet Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, shefi i UNMIK-ut ,Petersen, ka treguar gatishmëri që të angazhohet në çdo formë të mundshme për të gjetur zgjidhje, qoftë për objektin, për pagesat e parealizuara, si dhe për të gjetur zgjidhje për zhvendosjen e ndërtesës së Institutit Juridik, e cila gjendet në hapësirën e planifikuar për Akademinë.
Z. Petersen ka treguar gatishmëri për të takuar edhe përfaqësuesit e Asociacionit të Pensionistëve të Kosovës .Nëse ky takim nuk ka ndodhur deri tash , tha Petersen, kjo është për shkak se asnjëherë nuk më është kërkuar një gjë e tillë. Edhe çështja e udhëtimeve turistike në Shqipëri , tha Petersen , që nga sot është zgjidhur. Dokumenti është nënshkruar me një ditë vonesë për shkak të pritjes së konfirmimeve nga Tirana. Ai premtoi po ashtu angazhim për zgjidhjen e problemeve të zhvendosjes së banorëve të fshatit Hade.
Kryeparlamentari Berisha gjatë bisedës theksoi rëndësinë e vizitës dhe takimeve të zhvilluara para disa ditësh në SHBA . Z.Petersen vlerësoi se kjo vizitë dhe vizita të ë tjera të ngjashme në rajon dhe më gjerë , janë shumë me rëndësi për momentin dhe proceset të cilat zhvillohen Kosova .Ai po ashtu ka vlerësuar lart hapat që janë ndërmarrë ditëve të fundit për reforma dhe ndryshime cilësore në punën dhe procedurat e Kuvendit të Kosovës. Z.Petersen theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për zgjedhjen e Ombudspersonit të Kosovës, si një nga çështjet që do të zërë vend në raportin e tij në Këshillin e Sigurimit, më 20 Qershor.