Lajmet e fundit
TELEGRAM NGUSHËLLIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS Z. KOLË BERISHA, ME RASTIN E VDEKJES SË Prof. Dr. ENGJËLL SEDAJT
, 04.06.2006
E nderuara familje Sedaj,
Tani kur, të gjithë ne, kemi nevojë për më shumë lindje e për më pak vdekje; për më shumë jetë, e për më pak dhembje; për më shumë gëzime, e për më pak hidhërime; për më shumë këngë, e për më pakë lot, që të mund t\u bëjmë ballë më lehtë plagëve, ende të freskëta, të cilat na i la lufta, dhe që, mbi gërmadhat e të djeshmes e mbi rrënojat e të sotmes, ta ndërtojmë të ardhmen më të lumtur për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë;
Tani kur, siç thuhet, duhet të ndërtojmë, qoftë edhe nga balta, njerëz që do ta vënin, qoftë edhe një gurë të vetëm në kalanë tonë të shenjtë, themelet e të cilës u lanë me gjakun e shumë brezave nëpër shekuj;
Tani, në këto kohëra kur kemi aq shumë nevojë për Njeriun dhe humanistin, për pedagogun dhe edukatorin, për ligjëruesin dhe studiuesin e kalibrit të lartë;
Pra, tani kur kemi nevojë për gjithçka dhe për çdo kë, lajmi për vdekjen tepër të hershme, të bashkëshortit, të prindit, të vëllait Tuaj dhe mikut tonë të dashur e të respektuar; për vdekjen e profesorit dhe të punëtorit të shquar të shkencës shqiptare, na goditi shumë rëndë.
Por, “Vdekja, nuk është fjala ime e fundit” – thotë poeti. Prandaj, që nga sot, në radhë të parë, tek Ju - familje e nderuar Sedaj, por edhe te të gjithë ne bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e profesor Engjëllit, zbrazëtinë që po e lë mosprania e tij fizike, do ta përmbush përherë, puna e tij madhore që na e la në trashëgim në fushën e krijimtarisë letrare, historike, linguistike dhe publicistike.
E nderuara familje Sedaj,
Në pamundësi që sot të jem edhe fizikisht pranë jush, duke Ju shprehur ngushëllimet më të thella të mia dhe të Kuvendit të Kosovës, Ju lus që të mos lejoni që dhembja dhe pikëllimi, t\ua mundë krenarinë që profesor Sedajn e patët bashkëshort, prind dhe vëlla.
Kolë BERISHA,
Kryetar i Kuvendit të Kosovës