Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefat e zyrave të ndërlidhjes në Prishtinë

, 08.06.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, kishin sot një takim me shefat e zyrave të ndërlidhjes në Prishtinë lidhur me planin e standardeve dhe të reformës në punën e Kuvendit të Kosovës. Kryeparlamentari Berisha me këtë rast bëri një prezantim të planit të standardeve dhe të reformës në punën e Kuvendit, i cili është aprovuar nga ana e Kuvendit në seancën e fundit. Përkitazi me këtë , kryeparlamentari Berisha thekoi se ashtu si pata premtuar me rastin e zgjedhjes kryetar, se do të angazhohem që Kuvendi të jetë tempull i demokracisë parlamentare, zë i fuqishëm i pozitës dhe i opozitës, i shumicës dhe i pakicës, i transparencës, bashkë me Kryesinë kemi filluar sendërtimin e reformave. Në këtë frymë është bërë kalendari i mbledhjeve të Kuvendit si dhe i takimeve të Kryesisë. Janë bërë edhe ndryshime në rregulloren e Punës së Kuvendit, të cilat mundësojnë realizimin e këtyre synimeve dhe arritjen e standardeve evropiane të punës parlamentare. Në punën e Kryesisë kemi arritur një konsensus, në saje të të cilit në marrjen e vendimeve nuk vërehen dallime partiake. Në të gjitha këto angazhime , gjithnjë llogarisim në ndihmën e Unionit Evropian. Një pasqyrë shkoqitëse të reformave paraqiti edhe këshilltari politik i kryeparlamentarit, Ramë Manaj.

Në fjalët e tyre shefat e zyrave të SHBA-ve, Austrisë, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, përkatësisht: Phillip Goldberg, Alexander Bajerly , Thierry Reynard, Eugen Wollfart, David Blunt ishin të impresionuar me zhvillimet aktuale në Kuvendin e Kosovës. Në këtë frymë ata përgëzuan kryeparlamentarin Berisha , si dhe Kryesinë, për rezultatet e pamohueshme që po arrihen në punën e Kuvendit, përkatësisht në demokratizimin e jetës parlamentare, në kuadër të së cilës ndihet një frymë e re. Një nga qëllimet parësore të Kuvendit duhet të jetë posaçërisht hartimi dhe aprovimi i ligjeve në përputhje me legjislacionin më të avancuar ndërkombëtar. Në këtë moment Kuvendi duhet të angazhohet posaçërisht në amendamentimin dhe aprovimin sa më të shpejtë të tri ligjeve që kanë të bëjnë me gjuhët, trashëgiminë kulturore si dhe bashkësitë fetare. U propozua që kjo punë të kryehet më së largu deri në tetor të këtij viti. Shefja e Zyrës së Zvicrës në Prishtinë, Yvana Enzler u angazhua për një hapësirë edhe më të madhe për femrat- deputete në të gjitha çështjet që shtrohen në Kuvend. Shefat e zyrave përshëndetën këtë iniciativë, duke shprehur vullnetin që këso takime të ketë edhe në të ardhmen.

Xhavit Haliti tha se edhe opozita ka dhënë kontributin e saj për të arritur këtë shkallë të demokratizimit të punës, duke vazhduar përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët në punën parlamentare. Ai në vijim u angazhua që në parlament të krijohen mundësitë që komisionet hetuese parlamentare të ngriten edhe pa shumicën e votave. Naim Maloku u ndal më shumë në çështjen e angazhimit të Komisionit Parlamentar për Gatishmëri Emergjente, që krahas marrjes së kompetencave në sferën e sigurisë, të ketë mbikëqyrje parlamentare në këtë fushë. Në këtë kuadër, ai zuri në gojë vizitat shumë të frytshme që kishte bërë ky Komision në Slloveni dhe në Maqedoni. Ndërkaq, Mahir Jagxhillar foli për mundësitë shumë më të gjera që po krijohen edhe për deputetët nga minoritetet në punën e Parlamentit.

Kryeparlamentari Berisha priti shefat e zyrave të ndërlidhjes në Prishtinë