Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha u takua me komandantin e KFOR-it , gjeneralin Giuseppe Valotto
, 09.06.2006
Ecuritë e proceseve aktuale politike dhe çështjet e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit më KFOR-in ishin çështje qendrore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Giuseppe Valotto. Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se bashkëpunimi KFORI-it dhe i gjeneralit Valotto me Kuvendin e Kosovës dhe me institucionet tjera të Kosovës është i një rëndësie të veçantë. Në këtë frymë ky bashkëpunim duhet të begatohet edhe më, sidomos në këtë kohë kur Kosova po i afrohet zgjidhjes së statusit final .
Gjenerali Valotto theksoi se është i qartë momenti i veçantë e historik nëpër të cilin po kalon Kosova, ndaj në pajtim me këto procese sillet edhe KFOR-i, drejt shtimit të shkallës së vëmendjes dhe ndërmarrjen e veprimeve në përputhje me proceset që po kalon Kosova, duke shtuar se KFOR-i është i gatshëm të kontrollojë tërë territorin e Kosovës. Në këtë vështrim duhet kuptuar, tha ai, edhe veprimet tona në veri të Kosovës.
Në vijim ai theksoi se janë shumë të rëndësishme mesazhet me tona të qeta e paqësore që dëgjohen nga kryetari i Parlamentit dhe liderët tjerë të Kosovës për situatën aktuale.
Kursi që keni nisur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, , tha ai, është i drejtë , ndaj do të keni përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Valotto dha vlerësime të larta për dinamikën dhe efikasitetin e punëve në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur optimizëm se do të gjendet zgjidhje e drejtë për Kosovën. Nuk shoh, tha ai, ndonjë shkak për keqësimin e gjendjes në vend.
Kryeparlamentari Berisha vuri në pah vendosmërinë e lidershipit të Kosovës për të vazhduar kursin konstruktiv drejt një të ardhmeje të ndritur për të gjithë qytetarët e saj. Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të barabartë për të gjithë , pra edhe për serbët duke siguruar për ta, të gjitha të drejtat dhe lëvizjen e lirë. Duke folur rreth procesit negociator, kryeparlamentari Berisha bëri thirrje që në rast të vazhdimit të obstruksioneve të Beogradit , bashkësia ndërkombëtare vetë të marrë vendim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kreu i legjislativit u angazhua edhe për përshpejtimin e veprimeve për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në Rajon.