Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha bashkë me anëtarët e Kryesisë u takuan me deputetët Ivanoviq, Kërstoviq dhe Nojkiq

, 09.06.2006




Kryetari i Kuvendit Kosovës , Kolë Berisha dhe Kryesia e Kuvendit të Kosovës ju kanë bërë thirrje sërish deputetëve serbë për kthim në Kuvend dhe në të gjitha institucionet e Kosovës. Ne takimin e organizuar sipas ftesës së kryeparlamentarit Berisha merrnin pjesë deputetët e Listës Serbe për Kosovë , Oliver Ivanoviq, Dragisha Kërstoviq dhe Rangjel Nojkiq.

Kryetari i Kuvendit ,Kolë Berisha vuri në dukje se Kuvendi është vendi i duhur dhe mënyra më e mirë për të diskutuar dhe zgjidhur të gjitha problemet. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi janë interes i padiskutueshëm nga i cili përfitojnë të gjithë , tha kryeparlamentari Berisha , duke theksuar se Kuvendi është dhe do të jetë i hapur, ndërsa deputetët serbë kanë të drejta të garantuara si të gjithë deputetët e tjerë.

Deputeti Oliver Ivanoviq , në emër të grupit të deputetëve të LSKM theksoi se e kanë të qartë rëndësinë dhe përparësitë e pjesëmarrjes në Kuvend dhe në institucione. Ai bëri të ditur se po shqyrtohet intensivisht një mundësi e tillë e kthimit, por paraprakisht është një listë e çështjeve të cilat po diskutohen, ose pritet të diskutohen me Qeverinë dhe me disa nga institucionet e Kosovës gjatë ditëve në vazhdim dhe së shpejti pritet një vendim i deputetëve serbë. Në këtë listë të çështjeve për diskutim,tha ai, ndër të tjera është çështja e planit të propozuar të decentralizimit për të cilin do të diskutohet edhe në një takim në Vjenë. Lidhur me kthimin në Kuvend, z.Ivanoviq përmendi si orientim mundësinë e kthimit në seancën plenare që do të mbahet në fund të këtij sezoni të punës së legjislacionit të Kosovës. Rangjel Nojkiq dhe Dragisha Kërstoviq theksuan se takimi i sotëm tregon vullnetin e mirë të këtij subjekti politik për kthim në institucione .

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti dhe Xhavit Haliti theksuan po ashtu përparësinë që paraqet Parlamenti për të adresuar dhe mbrojtur interesat e atyre që përfaqësojnë deputetët serbë.

Kryeparlamentari Berisha bashkë me anëtarët e  Kryesisë u takuan me  deputetët Ivanoviq,  Kërstoviq dhe  Nojkiq