Lajmet e fundit
Sabri Hamiti u kthye nga vizita në Bruksel
, 09.06.2006
Sabri Hamiti , anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane , më 6 e 7 qershor ka qëndruar në Bruksel, ku ka pasur takime në nivel të lartë në Parlamentin Evropian , në Komisionin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Takimet janë zhvilluar me personalitete politike që janë të lidhura me proceset në Evropën Juglindor edhe në Kosovë.
Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Parlamentit Evropian, Elmar Brok, në takim me z.Hamiti theksoi se statusi politik i Kosovës duhet të zgjidhet brenda këtij viti duke marrë për bazë vullnetin e shumicës në Kosovë.
Domosdoshmëria për definim të statusit të Kosovës brenda këtij viti u theksua edhe në takimin me z.Strefan Lehne, i dërguar i BE-së në bisedimet për Kosovën. Zgjidhja e statusit do të krijojë kushtet për zhvillimin e saj ekonomik dhe politik dhe për integrimet evropiane, u tha me këtë rast.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Hamiti ka vlerësuar se një takim veçanërisht i rëndësishëm u zhvillua në Drejtoratin Gjeneral për Zgjerim të Komisionit Evropian, me zonjën Genoveva Ruiz Calavera, e cila tani e tutje do ta drejtojë Deskun, që është krijuar së voni për të ndjekur zhvillimet në Kosovë në aspektet integruese. Kjo zyrë tani e tutje do të ketë veprimtari të përqendruar dhe intensive në komunikim me institucionet e Kosovës nga ana e Komisionit Evropian.
Z.Hamiti ka pasur takime të veçanta edhe me zonjën Doris Pak, e angazhuar për Evropën Juglindore,pastaj me z.Erhard Busek, koordinator i Paktit të Stabilitetit, si dhe me z.Martin Kamp , sekretar gjeneral i Partive Popullore, të cilat e përbejnë shumicën në Parlamentin Evropian.
Në të gjitha këto takime Sabri Hamiti ka theksuar që pavarësia e Kosovës është zgjidhja optimale për Kosovën dhe në interes të stabilitetit në rajon. Një Kosovë demokratike që garanton të drejtat njerëzore dhe shanset e barabarta për të gjithë .Ai ka nënvizuar në mënyrë të veçantë që Kosova nga aspekti historik, kulturor dhe gjeografik është Evropë ,kurse synimi i saj zhvillimor është që të bëhet edhe politikisht Evropë, nëpërmes procesit të integrimeve, që nënkupton arritjen e standardeve e të vlerave universale duke ruajtur edhe vlerat nacionale.
Sipas z. Hamiti në vazhdim do të ketë intensifikim të takimeve dhe komunikimeve më të shpeshta ndërmjet Parlamentit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian .