Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha takohet me përfaqësuesit e ASHAK-së , MD-së , MASHT-it dhe të OSBE-së
, 09.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, sipas iniciativës së tij, kishte sot një takim me përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës , Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe të OSBE-së, përkitazi me ndërtimin e objektit të ASHAK-së. Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës nuk erdhi në takim. Në fillim kryeparlamentari theksoi se jemi tubuar këtu, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje rreth ndërtimit të objektit të një institucioni me rëndësi të veçantë, siç është Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Përpjekjet për ndërtimin e këtij objekti bëhen duke u angazhuar edhe në drejtim të gjetjes së një alternative të duhur për Institutin Gjyqësor të Kosovës, i cili gjendet në vendin ku duhet të ndërtohet Akademia.
Kryetari i ASHAK-së, Rexhep Ismajli, paraqiti edhe një herë ecurinë e përpjekjeve për ndërtimin e këtij objekti, si dhe momentet e vështirësimit të kryerjes së tij, që kanë të bëjnë me Institutin e Gjyqësisë. Ai tha se për shkak të mos fillimit të punëve ndërtimore është dashur të kthehen mjetet financiare dy herë. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj dhe ministri i Arsimit, Agim Veliu, duke i paraqitur qëndrimet e tyre sikur se edhe bashkëbiseduesit tjerë u pajtuan se objekti i Akademisë duhet të ndërtohet aty ku është planifikuar, ndërsa për Institutin e Gjyqësisë duhet të gjendet një zgjidhje deri sa të bëhet objekti i Ministrisë së Drejtësisë. Zhvendosja e institutit duhet të bëhet, sepse kjo parashihet edhe me planin urbanistik të Prishtinës . Përfaqësuesi i Presidencës së Kosovës, Isa Mustafa transmetoi vendosmërinë e kryetarit të Kosovës Fatmir Sejdiu për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur për fillimin e ndërtimit të Akademisë . Me interesim u prit edhe qëndrimi i OSBE-së, nga merrnin pjesë Henri Mc Goven dhe Marice Nyber, e cila është edhe themeluese e Institutit Gjyqësor . Nga përfaqësuesi i OSBE-së u tha se për themelimin e institutit dhe renovimin e tij OSBE-ja ka ndarë mjete të caktuara, por ky institut tash është i Kosovës dhe financohet nga Buxheti i Kosovës , ndaj është me rëndësi të gjendet një objekt adekuat për të. Përfaqësuesi i OSBE-së nuk ishte kundër zhvendosjes së këtij objekti. Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që javën e ardhshme të mbahet edhe një takim ku do të raportojë ministri i Drejtësisë, Salihaj, i cili premtoi se do të angazhohet maksimalisht për të gjetur zgjidhje rreth kësaj çështjeje .