Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 13.06.2006
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i këtij komisioni, mbajti një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave. Gjatë debatit u tha se ky Projektligj rregullon një fushë shumë të rëndësishme, siç është pengimi dhe luftimi i pastrimit të parave, si dhe obligimet që kanë institucionet që kryejnë transaksione financiare për të evituar dukuritë negativë në qarkullimin e parasë. Tehu i debatit u orientua posaçërisht në faktin se në kuadër të cilit subjekt do të funksiononte njësia për parandalimin dhe ndalimin e pastrimit të parave. Kishte propozime që ky njësit të veprojë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku do të ishte edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por kishte edhe propozime që kjo njësi të jetë departament, ose agjension më vete, ose edhe e karakterit mikst. Mirëpo, të gjithë diskutuesit ishin unanim në konstatimin se për të gjitha çështjet që ngërthen ky projektligj duhet të shikohen zgjidhjet që ofrojnë ligjet më të avancuara ndërkombëtare në këtë lëmë. Në këtë frymë anëtarët e Komisionit u zotuan se do të angazhohen për përfillje të këtyre zgjidhjeve më të mira ligjore në kuadër të amendamentimeve që do t’ i bëhen Projektligjit, i cili siç u tha, duhet të procedohet e miratohet sa më shpejt në Kuvend. Do theksuar se aktualisht njësiti për luftimin e pastrimit të parave vepron në kuadër të UNMIK-ut. Sipas Rregullores në fuqi bankat janë të obliguara të tregojnë prejardhjen e parave që kalojnë shumën prej 10 mijë eurosh, ndërsa me Projektligj ky nivel është 15 mijë euro, kuptohet duke lënë mundësi që në rast dyshimi të hetohen edhe raste nën këtë shumë.