Lajmet e fundit

Miratohet rendi i ditës për Seancën e 15 qershorit

, 12.06.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar, ka vendosur që seancën plenare ta mbajë më 15 qershor dhe e ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë. Për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji civil kundër shpifjes dhe fyerjes, ai për veprimtaritë hidrometeorologjike, si dhe ai për ofiçencën e energjisë, ndërsa për herë të parë do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin në Ligjit nr. 2004 /12 për standardizim dhe atë për Raportimet financiare të ndërmarrjeve. Në rendin e ditës do të jetë edhe interpelanca e kryeministrit lidhur me Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së. Në procedurë të mëtejme parlamentare shkon edhe kërkesa e deputetëve për interpelancë për ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor z. Ardian Gjini. Po kështu në rendin e ditës do të radhitet edhe pyetja e deputetit Ferid Agani drejtuar ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatrit, që ka të bëjë me faktin se a do të sigurohen mjetet financiare për pagesën e punës së obliguar me ligj të punëtorëve shëndetësorë gjatë kujdestarisë.

Sa i përket kërkesës së deputetit Emrush Xhamaili (LPK) për miratimin e Deklaratës për njohjen e pavarësisë së Malit të Zi nga Kuvendi i Kosovës, u tha se kryeparlamentari Kolë Berisha me një telegram përshëndetës, dërguar kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, ka përgëzuar pavarësinë e këtij vendi.

Përkitazi me kërkesën e NNP “Mega” për plotësimin e kushteve të Kontratës për ndërtimin e Qendrës Protokollare në Gërmi, Kryesia vendosi që për çështjen e Qendrës në tërësi të përgatitet një material gjithëpërfshirës, në të cilën do të shiheshin se sa mjete janë dhënë për këtë Qendër deri tash, sa punë janë kryer deri tash, pozicionet e tenderimit si dhe projekti në bazë të të cilit punohet. U tha se ky material do të përgatitet brenda javës për t’ u shqyrtuar të martën e ardhshme në Kryesi.

Në mbledhjen e ardhshme Kuvendi do të shqyrtojë edhe propozimin për kushtet dhe kriteret e zgjedhjes së Ombudspersonit.

Kryesia në vijim shqyrtoi çështjen e zgjedhjes së anëtarit të pestë të Komisionit të Pavarur për Media, të cilin e zgjedh Kuvendi i Kosovës, duke i propozuar Kuvendit për të zgjedhur z. Skënder Blakaj.
Miratohet rendi i ditës për Seancën e 15 qershorit