Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane

, 14.06.2006




Është i nevojshëm një koordinim shumë më i fuqishëm i punëve ndërmjet të gjitha organizmave të institucioneve të vendit, të cilat kanë të bëjnë me integrimet evropiane . Në këtë koordinim në radhë të parë hyjnë kontaktet e përhershme ndërmjet Qeverisë dhe Parlamentit, përkatësisht Agjensionit për Integrime Evropiane që vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe të Komisionit Parlamentar për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane. Gëzon fakti se tashmë në kuadër të Drejtoratit Gjeneral për Zgjerim të Komisionit Evropian, është formuar një Zyrë e veçantë që ndjek zhvillimet në Kosovë, posaçërisht nga aspekti integrues. Kjo krijon mundësi që tash e tutje të zhvillohen kontakte e komunikime të drejtpërdrejta e të përhershme ndërmjet Kosovës dhe Unionit Evropian. Këto ishin disa nga konstatimet e mbledhjes së sotme të Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga prof. dr. Sabri Hamiti, kryetar i këtij Komisioni, në të cilën u dha një raport i Agjensionit për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, të prezantuar nga z. Ruzhdi Halili.

Pasi foli për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Agjensionit dhe Komisionit Parlamentar, Ruzhdi Halili raportoi më hollësisht lidhur me aktivitetet e Qeverisë së Kosovës përkitazi me Planin për partneritet evropian, procesin e integrimit Evropian, plotësimin e kritereve të Unionit Evropian, progresit që shënon Kosova në kuadër të procesit të stabilizim - asocimit , të harmonizimit të legjislacionit të vendit me atë të UE-së etj.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për ngritjen dhe përfshirjen e kuadrove të afta profesionale, të cilat do të punonin në institucionet që merren me integrime. Me këtë rast Sabri Hamiti njoftoi të pranishmit edhe me takimet që kishte pasur ditë më parë në Bruksel me personalitete politike të Parlamentit Evropian , të Komisionit Evropian dhe në Këshillin e Evropës, që janë të lidhur me proceset në Evropën Juglindore dhe në Kosovë.

Mbledhja e Komisionit Parlamentar  për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evropiane