Lajmet e fundit
Grupi Parlamentar ORA organizon konferencën për të rinjtë
, 14.06.2006
Prishtinë, 14 Qershor 2006
– Është mbajtur konferenca me emrin ‘Perspektiva e të rinjve në Kosovë’ e organizuar nga Grupi parlamentar ORA. Në konferencë është trajtuar “Plani i veprimit për të rinj në Kosovë” dokument ky i cili mëton të zhvillojë politikat rinore Kosovare e të njëjtën kohë të hartoj politika të përgjithshme zhvillimore që do të kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të rinisë Kosovare në fushat si, punësimi, shëndetësia, mirëqenia sociale e fushat e tjera me rëndësi për shoqërinë kosovare.
(Ky plan ka filluar te draftohet nga Departamenti I rinisë në kuadër të Ministrisë së Rinisë, Sportit dhe Kulturës, në bashkëpunim me GTZ, UNICEF, UNDP, UNFPA dhe OSBE, në shtator të vitit 2005.)
„Rinia në Kosovë paraqet pjesën më të madhe dhe më vitale të popullsisë. Dhe si shumicë do të duhej të jetë prezent në çdo sferë të jetës shoqërore, politike në mënyrë që zëri i tyre në vendimmarrje të artikulon nevojat, dëshirat, interesat reale të tyre. Fatkeqësisht kjo shumicë e popullsisë paraqet pakice, minoritet, në vendimmarrje” ka theksuar Teuta Sahatqija ne hapje te konferencës.
Ajo theksoi se “Grupi Parlamentar ORA, përmes kësaj konference, dëshiron ta riiniciojë këtë çështje, të shohim se ka ngecur puna, çka është arrite deri më tani, çka ka mbetur pa u arritur, t’i analizojmë shkaqet e ngecjeve dhe përmes rekomandimeve të nxjerra nga grupet punuese të kontribuojnë që “Plan i Veprimit Rinor të Kosovës” të mos mbetet vetëm letër por të bëhet dokument i cili ndihmon rininë kosovare .
Me pas , janë paraqitur politikat e “planit te veprimit” nga z.Burim Leci, zyrtar i këtij Departamentit të rinisë, ndërsa janë dëgjuar edhe informacionet e paraqitura nga përfaqësuesi i sekretariatit të “Planit të veprimit rinor të Kosovës”.
Pas paraqitjeve fillestare pjesëmarrësit janë ndarë në 6 grupe punuese për të diskutuar lidhur me aspektet e veçanta te planit: Fuqizimi dhe pjesëmarrja e rinisë; Arsimi dhe rinia; Punësimi dhe rinia; Shëndeti dhe rinia; Mediat dhe rinia; Shërbimet vullnetare dhe rinia; Puna ne grupe ka prodhuar rekomandimet për fushat përkatëse te “planit të veprimit” ndërsa ne fund te konferencës është nxjerrë një përmbledhje e rekomandimeve të cilat i janë dorëzuar Ministrisë për Rini.
Labinot Salihu përfaqësues i ORA-s njoftoi pjesëmarrësit se “Ligji për fuqizim dhe pjesëmarrje te rinisë” pas një kohe te konsiderueshme është gjetur.
“Kam një lajm te mire për pjesëmarrësit e kësaj konference. Më në fund projektligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë është gjetur në njërën nga zyrat e ministrisë dhe rekomandojë që sa më shpejtë ti dorëzohet sa më shpejtë Kuvendit të Kosovës për procedim të mëtutjeshëm” theksoi Salihu.
Nga konferenca ‘Perspektiva e të rinjve në Kosovë’ rekomandohet që:
* Të ngritët në nivelin e dëshiruar bashkëpunimi ndërministror, e në veçanti bashkëpunim të ngushtë me:
* Ministrinë e ekonomisë dhe financave dhe
*Organizatat që janë të kyçura në draftimin e ‘Planit zhvillimor të Kosovës’ (siç është RiInvesti)
* Të planifikohen dhe alokohen mjete financiare për implementimin Planit të Veprimit Rinor të Kosovës në:
* Nivelin qendror
* Nivelin lokal (Komunal)
* Përfshirja në të gjitha nivelet e sektorit rinor të Kosovës e në veçanti:
* organizatat rinore politike
* Në afatin më të shpejtë, ligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë të dorëzohet në Komisionin Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport