Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare të Kuvendi të Kosovës
, 15.06.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar, shqyrtuan për herë të dytë dhe aprovuan Projektligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, si dhe atë për veprimtaritë hidrometeorologjike. Ndërkaq, për herë të parë shqyrtuan Projektligjin për ndryshimin në Ligjit nr. 2004 /12 për standardizim dhe atë për Raportimet financiare të ndërmarrjeve dhe i përkrahën në parim.
Deputetja e Nekibe Kelmendi në fillim të mbledhjes shtroi çështjen e gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës. Pas debatit lidhur me ketë çështje u mblodhën shefat e grupeve parlamentare , të cilët pas konsultimit kishin vendosur që lidhur me çështjen e sigurisë në veri të Kosovës, të merren informata nga Qeveria, UNMIK-u dhe KFOR-i , në mënyrë që pastaj mbi këtë çështje të merret një qëndrim në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare për procedim të mëtejmë rreth kësaj çështjeje.
Deputetëve iu kishte shpërndarë edhe interpelanca me shkrim e kryeministrit Agim Çeku e kërkuar nga Grupi parlamentar i PDK-së lidhur me Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së. Kryeministri Çeku u paraqit edhe në foltore për të njoftuar deputetët lidhur me rrethanat e nënshkrimit të këtij Ligji në prani të PSSP-së, Petersen. Përkitazi me këtë përgjigje u zhvillua edhe një debat.
Në vijim të mbledhjes u miratua propozimi për caktimin e kushteve dhe kritereve për zgjedhjen e Ombudspersonit të Kosovës.
Në frymë të sendërtimit të reformës parlamentare nga mbledhja e sotme filloi edhe shtruarja e pyetjeve nga ana e deputetëve në kohëzgjatje të përgjithshme prej 50 minutash. Me këtë rast në disa pyetje u përgjigj kryeministri. Kërkesë e deputetëve ishte që në të ardhmen me rastin e shtruarjes së pyetjeve të deputetëve të jenë të pranishëm të gjithë ministrat, sepse sipas tyre përgjigjet mund t’ i japin vetëm ministrat, ose kryeministri kur e merr përsipër këtë nga Qeveria e Kosovës. Deputetët përshëndetën këtë praktikë , si hap shumë të mirë të vënies së kontaktit ndërmjet Parlamentit dhe Qeverisë dhe përgjithësisht të begatimit të jetës parlamentare.