Lajmet e fundit
Kryeministri Sali Berisha foli para deputetëve të Kuvendit të Kosovës
, 15.06.2006
Tani është kohë e afrimeve, integrimeve rajonale, fqinjësisë së mirë premtuese e prosperuese, heqjes së të gjitha barrierave ndërmjet vendeve të këtij rajoni, tha Kolë Berisha
Me rastin e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë , z. Sali Berisha në Kosovë, Kuvendi i Kosovës, i kryesuar nga Kolë Berisha, mbajti sot një seancë solemne. Me këtë rast deputetëve, në mesin e të cilëve ishin edhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, iu drejtua kryeministri Sali Berisha.
Në fillim të seancë solemne kryeparlamentari Kolë Berisha i uroi mirëseardhje kryeministrit Sali Berisha për t’ iu drejtuar pastaj me këtë fjalë:
I nderuari President Sejdiu,
I nderuari Kryeministër Çeku dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Kosova tashmë vizitohet shpesh nga burra shtetesh e personalitete të larta të skenës botërore. Disa prej tyre madje edhe u janë adresuar deputetëve të këtij Kuvendi. Një rast të tillë e kemi edhe sot. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Kosovës t’i uroj mirëseardhje Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha.
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, z. Sali Berisha, mirë se erdhët në Kosovë! Mirë se erdhët në këtë takim me deputetët e Kuvendit të Kosovës!
Z. Kryeministër, të nderuar kolegë;
Momentet e këtilla, krahas rëndësisë, kanë edhe simbolikën e tyre. Është dashur të kalojë kohë tepër e gjatë deri te ky moment: Kryeministri i Shqipërisë, për herë të parë, u drejtohet me një fjalim solemn deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ç’ është e vërteta, ju kemi pritur edhe më herët, por nuk ishte e thënë. Nuk ishte shkruar. Ja që sot po realizohet kjo vizitë. Na vjen shumë mirë për këtë moment që përmban në vete, përveç simbolikës, edhe dëshminë e zvogëlimit të largësive.
Pak vjet më parë, Prishtina dhe Tirana ishin shumë larg njëra-tjetrës, në distanca gjeografikisht pothuaj të paarritshme, ose, më saktë, të pakalueshme. Larg ishte madje edhe Tropoja, vendlindja e kryeministrit Berisha, e cila është mu në kufirin me Kosovën.
Ishte kështu sepse rajoni ynë, Ballkani, njihte vetëm ideologji përjashtuese, meskine, barriera, kufij, urrejtje dhe frikë nga njëri-tjetri. Tani, për fat të mirë, nuk është më kështu. Ajo është kohë e shkuar. Mos e pafshim kurrë më! Tani jemi në një kohë tjetër. Sot, Prishtina dhe Tirana janë shumë më afër. Do të afrohemi akoma më shumë. Sepse kjo është dëshirë jona. Sepse kjo është kohë e afrimeve, integrimeve rajonale, fqinjësisë së mirë premtuese e prosperuese, heqjes së të gjitha barrierave ndërmjet vendeve të këtij rajoni.
Të nderuar deputetë,
Jam i sigurt se nuk ka nevojë të bëjmë ndonjë prezantim të veçantë figurës dhe personalitetit të z. Sali Berisha, sepse e njihni dhe e njohim të gjithë. E njohim mirë dhe për të mirë.
Por, para se ta ftojmë në foltore, më lejoni të konstatoj se prania e z. Berisha mes nesh është një rast i mirë që t’i shprehim mirënjohje për meritat e tij të veçanta në përkrahjen e gjithanshme dhënë Kosovës, në ditët e golgotës, nën dhunën e soldateskës së Milosheviqit;
T’i shprehim mirënjohje të veçantë për meritat e tij të mëdha në ditët e lindjes së demokracisë dhe të përmbysjes së totalitarizmit në Shqipëri, në fillim të viteve ’90.
Dhe, veçanërisht është rast i mirë ta përgëzojmë për lajmin e mirë që na erdhi pak para tij, nënshkrimi i Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin e Evropian. Ky është lajmi i mirë edhe për Kosovën dhe për tërë Ballkanin Perëndimor.
Duke ju uruar, për këtë arritje madhore, z. Kryeministër Berisha, ju ftoj në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Urdhëroni”! Duke iu drejtuar deputetëve në përvjetorin e shtatë të lirisë së Kosovës dhe tri ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së stabilizim – asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Unionit Evropian, kryemistri Sali Berisha përcolli përshëndetjet më të thella të Qeverisë së Shqipërisë dhe të popullit për mbështetje të Kosovës në ecjen e saj drejt një të ardhme sa më të ndritur. Kombi shqiptar, theksoi ai, po ecën i lirë, Shqipëria dhe Kosova si dy motra po ecin drejt integrimeve evoatlantike. Për arritjen e këtij caku sublim po kontribuon edhe Parlamenti i Kosovës , i cili është bërë promotor i zhvillimit të lirisë dhe vlerave demokratike duke arritur rezultate të pakontestueshme , posaçërisht në fushën e legjislacionit. Për të ardhmen e Kosovës, për të cilën u sakrifikuan aq shumë njerëz, duhet të punojmë të gjithë së bashku, pa dallim kombi, race e feje. Po trimëron fakti se këtu po rrezatoni vlera demokratike e njerëzore që reflektojnë në tërë Rajonin. Në këtë vështrim, tha Sali Berisha, garantimi i të drejtave për të gjitha minoritetet, e posaçërisht për komunitetin serb i kontribuon kësaj të ardhmeje .
Shqipëria, theksoi Sali Berisha, do të jetë faktor konstruktiv për zgjidhjen e statusit të Kosovës. A ardhmja e Kosovës do të jetë pavarësia dhe sovraniteti.
Pas kësaj fjale të ngrohtë, Kolë Berisha falënderoi kryeministrin me këto fjalë: “ Në emër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ju falënderoj për fjalët e mira që thatë. Dhe, më lejoni t’ju shpreh edhe një herë falënderimet tona për çdo fjalë të mirë që keni thënë për Kosovën, qoftë si President i Shqipërisë, apo si lider i opozitës, në organizatat ndërkombëtare, gjatë viteve të vështira kur Kosova nuk mund të merrte pjesë me përfaqësuesit e saj”