Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha u takua me shefen e Zyrës Zvicerane në Prishtinë, zonjën Yvana Enzler
, 16.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me shefen e Zyrës Zvicerane në Prishtinë, zonjën Yvana Enzler. Z. Enzler vlerësoi lart hapat që po ndërmerren në Kuvendin e Kosovës , si momente tejet të rëndësishme për efektshmëri dhe demokratizim të jetës parlamentare, që reflektohen edhe në zhvillimet e përgjithshme në Kosovë. Në këtë frymë ajo shprehu falënderim të veçantë për iniciativën e kryeparlamentarit Berisha për t’ i tubuar ditë më parë shefat e zyrave në një diskutim lidhur me reformat dhe Planin e standardeve që po zbatohen aktualisht në Kuvend. Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin e startit shumë të suksesshëm të praktikës së pyetjeve dhe përgjigjeve që filloi nga seanca e fundit e Kuvendit, si një model i ri frytdhënës i komunikimit dhe dinamizmit të punës së Kuvendit.
Shefja e Zyrës Zvicerane në vijim shprehu gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Parlamentit të Zvicrës dhe Kuvendit të Kosovës në të gjitha segmentet, duke i dhënë përparësi të veçantë vizitave reciproke dhe këmbimit të përvojave. Ajo paralajmëroi edhe fillimin e një iniciativë për të ndihmuar Grupin joformal të deputeteve të Kuvendit të Kosovës, si dhe për të financuar një asistent për këtë qëllim. Një projekt i këtillë është duke u përkrahur edhe nga zyrat tjera në Prishtinë.
Kryeparlamentari Berisha falënderoi për përkrahjen që vjen nga Zyra dhe shteti zviceran për Kosovën, duke theksuar se na është e nevojshme ndihma e përkrahja , sidomos në aspektin e prezantimit të denjë të zhvillimeve e synimeve të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Në vijim kryeparlamentari Berisha foli për vështirësitë me të cilat ballafaqohen deputetët e Kuvendit të Kosovës , sidomos sa i përket hapësirës së punës dhe pajisjeve.