Lajmet e fundit

Aktivitete të kryeparlamentarit Berisha gjatë vikendit

, 19.06.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, takoi të shtunën një delegacion të Institutit Albanologjik të Prishtinës, të prirë nga dr. Zymer Neziri. Në këtë takim, që kishte karakter përurues, u bisedua edhe për të arriturat e Institutit Albanologjik të Prishtinës në fushën e botimeve dhe të studimeve, por u fol edhe për problemet me të cilat ballafaqohen punëtorët shkencorë të këtij instituti.

Po ditën e shtunë, kryeparlamentari Berisha priti një delegacion shtatë anëtarësh të fshatit Zhegër, të quajtur Iniciativa e Pavarur për rithemelimin e Komunës së Zhegrës, të kryesuar nga Nezir Idrizi, e në të cilin takim kryeparlamentari Berisha u informua për iniciativën e qytetarëve të Zhegrës për rithemelimin e Komunës së Zhegrës, e cila ka funksionuar deri më 1959.

Ditën e diel, kryeparlamentari Berisha mori pjesë në shënimin e 18 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Komunës së Klinës dhe me këtë rast mori pjesë në ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në sheshin “Mujë Krasniqi” në qendër të qytetit, pastaj mori pjesë në seancën solemne të Asamblesë Komunale me rastin e 7-vjetorit të çlirimit të Komunës së Klinës, ku edhe iu drejtua këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Klinës me një fjalë rasti. Më vonë, kryeparlamentari Berisha bëri homazhe dhe vendosi një kurorë lulesh në varrezat e dëshmorëve në vendin e quajtur Kodra e Kuqe dhe, në fund, mori pjesë në zbulimin e lapidarit të dëshmorëve dhe të martirëve në fshatin Sferkë, ku mbajti një fjalë rasti dhe vendosi kurorë lulesh pranë lapidarit.

Aktivitete të kryeparlamentarit Berisha gjatë vikendit