Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha iu drejtua pjesëmarrësve të Konferencës në Selanik
, 20.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha, i cili po merr pjesë në punimet e Konferencës mbi kornizën ligjore për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e cila po mbahet në Selanik, organizuar nga Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave dhe Këshilli Konsultativ në kuadër të Grupit Negociator të Kosovës, në ditën e dytë të punimeve mbajti një fjalë me këtë përmbajtje:
” I nderuari zoti Mark Veler,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Institucionet e Kosovës, subjektet politike dhe qytetarët tashmë po i dërgojnë botës mesazhe të qarta të përkushtimit të sinqertë, serioz dhe te vendosur për ndërtimin e një korpusi të tërë ligjor, modern dhe funksional.
Ligjet e reja, normat dhe praktika e përditshme që po ndërtojmë, synojnë standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e komuniteteve dhe me çështjet e pakicave.
Zonja e zotërinj,
Meqë presim që çështja e statusit të definohet brenda këtij viti, Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe vetë klasa aktuale politike e saj, me vetë faktin se ka marrë pjesë në bisedimet paraprake në Durrës dhe në hartimin e të ashtuquajturit “Dokument i Kembrixhit”, ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se është e gatshme të marrë mbi vete përgjegjësinë që nesër, në një Kosovë të pavarur dhe sovrane, të gjitha obligimet nga lëmi i të drejtave të komuniteteve t’i monumentojë në aktin e saj më të lartë juridik – në Kushtetutën e Kosovës.
Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, duke punuar në nivel ekspertësh, madje edhe nga ata ndërkombëtarë, dhe duke shfrytëzuar praktikat e vendeve më të avancuara, gjithnjë e më tepër dhe në vazhdimësi po i demonstrojnë qartë të gjitha përpjekjet dhe gatishmërinë e tyre për të dhënë kontributin e nevojshëm që, edhe aspektin e infrastrukturës ligjore sa u përket çështjeve të pakicave, ta vënë në funksion të krijimit të një Kosove demokratike dhe stabile.
Të nderuar të pranishëm,
Pala kosovare qëndron e paluhatshme, madje-madje është shumë e bindur dhe jetësisht e interesuar, e në këtë kontekst edhe shumë këmbëngulëse në atë se, në një ambient të tillë, vetvetiu, sigurohet dhe garantohet prosperiteti i gjithmbarshëm dhe mundësia që të gjithë ata që jetojnë në shtetin e Kosovës, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore e qytetare, pavarësisht nga përkatësia etnike, kulturore, racore, gjinore ose fetare e tyre. Në këtë kontekst, mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të komuniteteve do të marrë performansën meritore edhe në kuptim të garancive më të larta ligjore.
Përcaktimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe përkushtimin e tyre që të drejtat dhe liritë e komuniteteve t’i ngrenë në nivelet më të larta të mundshme, ngjashëm me vendet e tjera, tashmë e kemi bërë të qartë publikisht dhe në disa forma. Por, ne duam që kjo të mos ngel vetëm në nivele deklarative. Prandaj, ne po përpiqemi që këtij përcaktimi tonë t’i japim edhe formë më adekuate juridike, siç është Ligji. Kjo edhe na ka preokupuar shumë kohëve të fundit, gjë që dëshmon edhe fakti se jo rrallë herë jemi tubuar në kërkim të gjetjes së modeleve më të avancuara dhe të pranueshme për të gjitha komunitetet. Me këtë ide dhe me këtë qëllim të qartë jemi edhe sot në Selanik. Jam i sigurt se kjo ide dhe këto qëllime tona, gjatë punimeve të këtij forumi, edhe do t’i realizojmë. Një ligj që fuqishëm do ta mbulojë këtë pjesë të spektrit të të drejtave dhe lirive të komuniteteve, siç pretendojmë ta arrijmë, përmes një lex specialis ose si ligj kushtetues, tashmë jo vetëm që shihet i domosdoshëm, por edhe po punohet për të.
Zonja e zotërinj,
I ashtuquajturi “Dokument i Kembrixhit” përmban brumin e pasur, i cili me përkushtimin tuaj të vëmendshëm, mund të konvertohet në një projekt vërtetë cilësor të një ligji të këtillë.
Unë sot jam këtu me ju që, në emër të Parlamentit të Kosovës dhe të Kryesisë së tij, në fillim të sesionit tuaj plenar, t’ju kurajoj dhe t’ju siguroj gjithë mbështetjen time si dhe falënderimin e sinqertë për të gjithë ju që kontribuoni në këtë punë të vlershme për të ardhmen e Kosovës dhe, natyrisht, një falënderim të veçantë do t’ia adresoja edhe një herë organizatorit: Qendrës Evropiane për çështje të pakicave dhe profesorit të nderuar Mark Veller.
Më lejoni të theksoj se nisur nga përmbajtja e materialit bazë, të hartuar nga ju dhe të miratuar nga Grupi Politik-Strategjik i Kosovës, duket qartë jo vetëm avancimi, por edhe i ashtuquajturi diskriminim pozitiv edhe në këtë fushë të të drejtave, madje dhe në komparacion me standardet më të larta të përcaktuara me konventat evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të minoriteteve.
Legjislacioni evropian në përgjithësi dhe ai që normon e rregullon liritë dhe të drejtat njerëzore e qytetare dhe të minoriteteve, në veçanti, tanimë sinjifikon drejtpërdrejt dhe reflekton rregullimin e kësaj materieje edhe në Kosovë. Sepse, pikësynim i përhershëm yni janë dhe mbesin jo vetëm aspirimet por edhe angazhimet tona institucionale e politike për integrime në vlerat e civilizimit evroperëndimor. Standardet e përgjithshme juridike të avancuara në këtë lëmi do t’i adoptojmë në vazhdimësi dhe prore do të kenë përkushtimin për aplikueshmëri të plotë të tyre. Prandaj, do të jetë i rëndësisë së veçantë edhe përcaktimi dhe përkufizimi i mekanizmave juridiko-ligjorë që mundësojnë përkujdesje të shtuar institucionale në mbrojtje dhe zbatim të këtyre të drejtave dhe lirive.
Duam vërtet që Kosova me statusin e saj të vendit të pavarur e sovran të garantojë sa më fuqishëm dhe të ofrojë liri, drejtësi dhe barazi njerëzore për gjithë qytetarët, me fokusim të veçantë në komunitet joshumicë. Këtë desha ta bëjë të ditur edhe simbolikisht me ardhjen time në Selanik.
Të nderuar të pranishëm,
Ne hapje të këtij takimi, paraprakisht ju falënderoj të gjithë juve që keni ardhur këtu që të kontribuoni për avancim në këtë çështje me rëndësi për Kosovën. Në veçanti falënderoj organizatorin e këtij tubimi, Qendrën Evropiane për Çështje të Pakicave dhe profesorin e nderuar, z. Mark Veller, i cili me ekipin e tij po na shoqëron në rrugën tonë të përpjekjeve për të ndërtuar vlera dhe standarde sa më të larta në fushën e të drejtave të njeriut.
Në këtë drejtim, uroj të jetë e suksesshme puna juaj këto ditë në Selanikun e lashtë. Madje, për këtë edhe jam i sigurt. Punë të mbarë.