Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha takoi ministrin grek Kalanxis
, 20.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës ,Kolë Berisha ,në kuadër të qëndrimit në Selanik të Greqisë, ku mbajti fjalën e hapjes në konferencën kushtuar çështjes së komuniteteve në Kosovë , zhvilloi një takim me anëtarin e kabinetit të Qeverisë së Greqisë, ministrin Jorgos Kalanxis . Ministri Kalanxis është i ngarkuar në dikasterin për Maqedoni dhe Thraki me seli në Selanik. Takimi u mbajt me iniciativën e Qeverisë Greke.
Në këtë takim përveç stafit të bashkëpunëtorëve të kryeparlamentarit Berisha mori pjesë edhe shefi i Zyrës Greke në Prishtinë , Nikolas Kanelos. Të dy bashkëbiseduesit në këtë takim vlerësuan lart rëndësinë e temës së konferencës që po mbahet në Selanik, si dëshmi e përcaktimit të Kosovës për zgjidhje të çështjes së minoriteteve sipas standardeve më të avancuara. Kryetari i Kuvendit Berisha prezantoi zhvillimet e tjera aktuale në Kosovë dhe foli për rëndësinë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës si mundësi e avancuar e garantimit të pozitës së minoriteteve, por edhe për bashkëpunim të gjithanshëm e stabilitet në rajon . U bisedua edhe për forma konkrete të bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal, ndërsa ministri Kalnaxic theksoi se Greqia është e interesuar që aktivitetet e deritashme në Kosovë t’i intensifikojë edhe më shumë me prani edhe më të madhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik .