Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, Zoltan Imecs

, 22.06.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot shefin e Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, Zoltan Imecs dhe ka biseduar me të për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, sidomos të atij ndërparlamentar dhe investimeve hungareze në ekonominë e Kosovës.

Diplomati hungarez, Imecs e ka falënderuar kryeparlamentarin Berisha për takimin me shefat e zyreve diplomatike lidhur me zhvillimet dhe reformat në Kuvendin e Kosovës.
Ai është shprehur se vendi i tij i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë, qëndrimet e Grupit të Kontaktit dhe kursin e zotit Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Imetcs ka shprehur interes për organizimin e vizitave të delegacioneve parlamentare me qëllim të këmbimit të përvojave nga kjo fushë.

Kryeparlamentari Berisha i ka mirëpritur këto iniciativa dhe ka falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm. Berisha në këtë takim ka paraqitur orientimet e institucioneve kryesore të vendit dhe përkushtimin e tyre për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës, por ka folur edhe për Kosovën e pas statusit. Ai ka përvijuar konturat e shtetit të pavarur të Kosovës dhe përkushtimin e bartësve të institucioneve të vendit për bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit.

Në këtë vështrim bashkëbiseduesit janë pajtuar se bashkëpunimi në të ardhmen duhet të dominohet nga aspektet ekonomike. Imecs, ndërkaq, ka theksuar interesimin për investimet hungareze në ekonominë e Kosovës, sidomos në lëmin e elektroenergjetikës dhe telekomunikacionit

Kryeparlamentari Berisha priti  shefin e Zyrës së Hungarisë në Prishtinë, Zoltan Imecs