Lajmet e fundit

Ceremoni solemne organizuar nga NDI-a

, 24.06.2006




Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, sot u organizua ceremonia solemne e ndarjes së diplomave për 70 aktivistë të rinj nga subjektet politike shqiptare, serbe, turke dhe rome. Certifikatat u dhanë nga Akademia për Trajnim Partiak e organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar ( NDI ) në Kosovë. Në këtë solemnitet merrnin pjesë Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Ken Yamashita,drejtor i Misionit të USAID-it për Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës , Ismet Beqiri, kryetar i Komunës së Prishtinës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Duke hapur këtë ceremoni Chad Rogers, drejtor i NDI-s, tha se partitë në Kosovë e kanë kuptuar qartas nevojën për të trajnuar dhe përfshirë një gjeneratë të re të organizatorëve dhe zyrtarëve të zgjedhur . Këta 70 të rinj janë nder për partitë e tyre dhe për Kosovën, për vetë përkushtimin që kanë treguar dhe punën që do ta bëjnë për të ndërtuar një shoqëri demokratike.

Duke përshëndetur pjesëmarrësit kryeparlamentari Berisha tha se sot ndihemi vërtet shumë mirë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, të cilat dëshmojnë për dijen tuaj teorike e praktike të fituar gjatë kursit katërmujor mbi mënyrën e funksionimit të Kuvendit të Kosovës, të kuvendeve komunale, mënyrave të organizimit të takimeve të zyrtarëve të zgjedhur me qytetarët, e të tjera.

Kursi u organizua nga USAID-i dhe nga NDI-ja, të cilat po ashtu, i falënderoj dhe i përgëzoj sinqerisht edhe për këtë projekt kaq kapital, krahas shumë projekteve të tjera po kaq kapitale në Kosovë.

Mund të themi lirisht se të dy këta partnerë tanë të nderuar, tërë punën e tyre e mbështesin, para së gjithash, tek respekti ndaj atyre që ua ofrojnë ndihmën dhe ekspertizën e tyre. Me ndihmën e tyre ne po përparojmë më shpejt në ndërtimin e institucioneve demokratike.

Kjo që kemi arritur deri më sot nuk është pak. Por, natyrisht, demokracia është proces që gjithnjë duhet vazhduar e begatuar. Prandaj, edhe institucioneve të reja demokratike të Kosovës ju duhen forca të reja, gjenerata të reja.
Brezi im dhe brezat e mëhershëm kemi bërë aq sa kemi mundur e kemi ditur, dhe mendoj se, megjithatë, kemi bërë shumë për Kosovën. Por, tërë kjo shumë do të ishte pak, ose aspak, nëse nuk mendojmë e nuk hapim shtigje e horizonte të reja për kohën dhe për gjeneratat që vijnë pas nesh, për të nesërmen, për ardhmërinë e Kosovës.

E dimë se do të çmohemi e do të mbahemi mend ndër breza për punën që kemi bërë dhe në bazë të rezultateve që kemi arritur, por, do të çmohemi dhe do të përkujtohemi, pothuajse në të njëjtën masë, dhe pikërisht në bazë të asaj se çfarë brezi dhe çfarë kualiteti do të përgatisim që të na zëvendësojë.

Prania juaj sot e këtu dëshmon se ne po mendojmë për të ardhmen, se ne, jo vetëm se duam, por edhe po e ndërtojmë të ardhmen. Në këtë aspekt, e them lirisht se ndjehem krenar që ju, një gjeneratë e re, nesër do të jeni pjesa prijëse e shumicës së subjekteve tona politike dhe institucionale të Kosovës.

Kjo ardhje juaja në këto hallka të sistemit do të sjellë freski e përvoja të reja që do ta shtojnë dinamikën brenda partive tuaja, pastaj garën mes subjekteve politike me qëllim të pasurimit të ofertës në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Ofertë në këtë rast është çdo projekt që paraqet zgjidhje sa më efikase e sa më funksionale për çdo gjë që i intereson qytetarit. Dhe, vetëm pasi të keni menduar mirë dhe pasi të gjeni projektin më efikas, ju do të kërkoni votën dhe besimin e qytetarëve në këmbim për punën tuaj të palodhshme, për ndihmë dhe përgjegjësi të vazhdueshme.
Këto ditë ju keni mësuar shumë nga këto gjëra të cilat do t’i zbatoni sipas rregullave të qarta e të forta të lojës demokratike.

Jam i sigurt se keni mësuar edhe diçka që është edhe më e rëndësishme se ky mësim: keni kuptuar rëndësinë dhe magjinë e mësimit. Mendoni sa gjëra nuk i keni ditur para së të filloni këtë kurs. Mendoni sa më të pasur e sa më të sigurt në vetvete jeni sot dhe sa më mirë do të ndiheni në të ardhmen nëse vazhdoni të mësoni edhe më tutje.

Duke e mbyllur këtë fjalë rasti, edhe një herë ju uroj përzemërsisht për diplomat që do të merrni sot. Ju përgëzoj për suksesin që keni treguar në punën tuaj katërmujore dhe vërtet jam i privilegjuar që dëshmitë në formë diplomash për dijen e fituar po ju dorëzohen pikërisht në njërin nga mjediset e Kuvendit të Kosovës, ku, një ditë mund të hyni edhe ju, dhe duhet të hyni, dhe jemi të sigurt se do të hyni, duke sjellë me vete edhe përvojat dhe mësimet e këtij kursi.

Pikërisht nga këto ambiente të Kuvendit dua t’ua bëj një thirrje - sfidë, secilit prej jush: që sot, që nga ky moment, mendoni për atë çast të ardhjes suaj në Kuvendin e Kosovës, si deputetë e përfaqësues të zgjedhur të popullit. Mendoni se pikërisht ju do të konkurroni dhe do të fitoni votat në zgjedhjet e vitit 2007 dhe mendoni se çfarë ndryshimesh pozitive, çfarë ndihmese mund të bëni ju për komunitetin, për Kosovën. Kuvendi, institucionet e Kosovës, kanë nevojë për ju, kanë nevojë për ide, për përvoja dhe qasje të reja.

Më lejoni t’ua jap vetëm një këshillë, të cilën edhe mua ma kanë thënë në rininë time: nisuni në këtë rrugë me vullnet të mirë, me dashuri për Kosovën dhe për njerëzit e saj, sepse këtë mund ta bëj secili prej jush. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ka ose nuk duhet të ketë moral në politikë.

Në jetë, më shumë së çfarëdo tjetër, duhet të ketë moral.
E, politika është pjesë e jetës, theksoi Kolë Berisha.
Të certifikuarit e rinj i përgëzoi edhe Ken Yamashita, duke theksuar se ndihet i lumtur që sheh një grup të të aktivistëve të rinj të partive të ndryshme , sepse kjo është një shenjë që tregon se partitë politike janë duke menduar për të ardhmen.

Ceremoni solemne organizuar nga NDI-a