Lajmet e fundit
Seanca plenare mbahet më 29 qershor
, 26.06.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vendosur ta thërrasë Seancën plenare për datën 29 qershor dhe ka miratuar rendin e ditës për këtë seancë.
Deputetëve fillimisht do t’ u drejtohet Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovë, Soren Jessen Petersen, para se ta përfundojë punën e tij në Kosovë.
Në vazhdim ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ardian Gjini, do ta ketë një interpelancë, sipas kërkesës së disa deputetëve nga grupi Parlamentar i LDK-së, si dhe do të ketë pyetje të deputetëve për Qeverinë e Kosovës.
Në po këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë Projektligji për peshkatarinë dhe akuakulturë, si dhe ai për Prokurimin Publik në Kosovë. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lekturës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik, kurse do të shqyrtohet edhe Raporti lidhur me vërejtjet e Zyrës Ligjore të UNMIK-ut në Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta (nr. 2004/45), i miratuar më 27.09.2004.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2005, propozimin për shpalljen publike për pozitën e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësit kryesor, si dhe një varg kërkesash të agjencioneve e të komisioneve parlamentare.