Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion nga KFOR-i Amerikan dhe Caritasi
, 26.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot një delegacion të përbashkët të KFOR-it Amerikan dhe Caritasit, të kryesuar nga Eric. S. Holliday, gjenerallejtënant në KFOR-in Amerikan dhe Jakup Sabedini, koordinator i Caritasit në Kosovë. Me këtë rast delegacioni e njoftoi kryeparlamentarin me projektin e Caritasit, të përkrahur edhe nga KFOR-i Amerikan, që ka të bëjë me dërgimin e 25 vullnetarëve nga vise të ndryshme të Kosovës në Amerikë, për t’ iu ndihmuar vendeve të goditura nga uragani “Katrina”.
Delegacioni kërkonte ndihmë institucionale për dërgimin e këtyre vullnetarëve, që konsiston në sigurimin e mjeteve materiale vetëm për transport të vullnetarëve. Të rinjtë nga Kosova, të moshës 19 deri 35 vjet, të profesioneve nga më të ndryshme do të qëndronin 30-60 ditë në SHBA, ndërsa do të vendosen në Nju – Orleans.
Kryeparlamentari Berisha i premtoi delegacionit se do të bëjë gjithçka që është e mundur që bashkë me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës të ndihmohet realizimi i këtij projekti.- Është nder për ne, tha kreu i legjislativit të Kosovës, që të paguajmë një pjesë shumë të vogël të borxhit shumë të madh që kemi ndaj jush. Ishte vlerësim i përbashkët se ky mision do të kontribuonte edhe në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.