Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Andreas Notelle
, 27.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Andreas Notelle, i cili shoqërohej nga zëvendshefi i OSBE-së në Kosovë, Jens Modvig dhe Ludevig Vanust, zyrtar i OSBE-së në Kosovë.
Kryeparlamenrtari Berisha e ka njoftuar nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Andreas Notelle për zhvillimet në Kosovë, kurse në mënyrë të veçantë ka paraqitur detaje për risitë që janë bërë në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë pritur mirë nga pozita dhe opozita në Parlament.
Dëshiroj t’ua përcjell përgëzimet e kryesuesit të Asamblesë Parlamentare për reformat që keni bërë në Kuvend, ka thënë Notelle, duke shtuar se është i bindur se reformat e ndërmarra janë hap i rëndësishëm drejt rolit që duhet ta ketë Parlamenti në një shoqëri demokratike. Ai ka pohuar se për këto suksese do të raportojë në Bruksel.
Duke bashkëbiseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Berisha ka theksuar orientimin për ta vazhduar bashkëpunimin e mirë dhe të frytshëm, në mënyrë që reformat aktuale në Kuvend të jenë vetëm një hallkë në perfeksionimin e punës së mekanizmave parlamentarë.
Nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e ka garantuar kreun e Kuvendit të Kosovës se OSBE-ja është e gatshme që ta mbështesë çdo projekt për mbarëvajtjen e parlamentarizmit në Kosovë.