Lajmet e fundit
Komisioni Parlamentar për Gatishmëri Emergjente shqyrtoi gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës
, 27.06.2006
Komisioni për Gatishmëri Emergjente i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, shqyrtoi gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, obligim i marrë nga seanca e paradokohshme e Kuvendit të Kosovës përkitazi me këtë çështje. Në mbështetje të shqyrtimit të sotëm, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Fatmir Rexhepi, Nik Bat nga Shtylla e Parë e UNMIK-u dhe Reshat Maliqi gjeneral major i SHPK-së, Komisioni do të hartojë një raport , i cili do t’ i paraqitet Kuvendit të Kosovës.
Pas një prezantimi të gjerë të situatës në veri të Kosovës u theksua se deklaratat nga kuvendet komunale të veriut të Kosovës se do të bojkotohen institucionet krijuan tensione për qëllime politike. SHPK bashkë me të gjitha institucionet dhe segmentet e sigurisë ndërkombëtare, me masa shtesë , janë të angazhuara në veprimet e përditshme të tyre dhe me vigjilencë vështrojnë ngjarjet, ndaj situata në veri është nën kontroll.
Qytetarët dhe institucionet e Kosovës treguan pjekuri dhe nuk ranë në provokime të organizimeve në këtë pjesë të vendit. Përgjegjësit e segmenteve të sigurisë theksuan se deklarimet për prani ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë nuk janë të vërteta.
Në këtë vështrim ata thanë se gjendja në veriun e Kosovës qe 7 vjet vazhdon të jetë afërsisht e njëjtë, ndërsa kjo do të tejkalohet me kthimin e pjesëtarëve serbë në institucionet e Kosovës, për të ndërtuar së bashku të ardhmen e saj.
Lidhur me çështjen se a ka pjesëtarë, ose a po trajnohen pjesëtarë të MUP-it serb për rekrutim në SHPK, u tha se këtu nuk bëhet fjalë për pjesëtarë të cilët kanë dosje për krime të kryera në Kosovë, ata janë qytetarë të Kosovës nga radhët e të gjitha komuniteteve që para lufte kanë shërbyer në shërbimet policore.