Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të Dumës Ruse
, 27.06.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot një delegacion të Dumës Ruse, të kryesuar nga Sergej Baburin, zëvendëskryetar i parlamentit, me të cilin ka biseduar për punën e Kuvendit dhe perspektivat zhvillimore të të gjitha komuniteteve në Kosovën e së nesërmes.
Kryeparlamentari Berisha, fillimisht, mysafirëve rus u ka prezantuar strukturën dhe organizimin e Kuvendit të Kosovës, për të tu përqendruar pastaj në reformat në Parlament dhe aktivitetet ligjvënëse. Ai, ndërkaq, ka folur edhe për përpjekjet për t’i kthyer deputetët serbë edhe në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.
Duke përvijuar vizionin për ardhmërinë e Kosovës, Berisha ka theksuar vendosmërinë e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për pavarësinë e vendit. Në këtë vështrim, ai ka theksuar se në Kosovën e pavarur do të garantohen të drejtat qytetare të të gjitha komuniteteve. Berisha, madje, ka pohuar se për hir të ardhmërisë së fëmijëve të Kosovës do të lihet anash historia e kalvareve tona.
Nënkryetari i Dumës Ruse, Sergej Baburin ka thënë se parlamentarët rusë e vlerësojnë gabim të madh abstenimin e deputetëve serbë në seancat e kuvendit të Kosovës. Ai ka shprehur qëndrimin e Parlamentit të Rusisë se Kosova e së ardhshmes duhet të jetë entitet i balancit të paqes dhe të stabilitetit, si dhe qëndrimin që shqiptarët dhe serbët duhet të gjejnë mundësi për jetë të përbashkët në Kosovë.