Lajmet e fundit
FJALIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, z. KOLË BERISHA, PARA DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS, NË SEANCËN E 29 QERSHORIT, ME RASTIN E LARGIMIT NGA KOSOVA TË SHEFIT TË UNMIK-ut, z. SOREN JESSEN-PETERSEN
, 29.06.2006
Koha ecën shpejt kur udhëton me njerëz të mirë.
Z. Petersen, ne bëmë bashkë një copë rrugë dhe shumë shpejt erdhi edhe kjo ditë e ndarjes. Do të donim të zgjaste akoma qëndrimi juaj këtu për të finalizuar bashkërisht proceset për të cilat punuam këto vite. Sidoqoftë, i kuptojmë arsyet tuaja të largimit...
Do t’ju kujtojmë gjatë dhe shpesh. Në çdo situatë – sepse na latë një model brilant të veprimit, të reagimit të politikanit të matur e të vendosur njëkohësisht. Na latë një model të njeriut veprues, që në momentin e duhur është në vendin e duhur, qoftë për të zhbllokuar procese, apo për t’u dhënë shpirt projekteve të ndryshme.
Z. Soren Jessen-Petersen,
Kosova, në historinë e saj, shpesh i ka ndier në kurriz dhe i ka vuajtur pasojat e paraqitjes së shtrembëruar të fakteve dhe të rrethanave para botës. Prandaj, i konsiderojmë miq dhe nuk i harrojmë kurrë të gjithë ata që e thanë të vërtetën për ne. Pikërisht këtë e keni bërë ju, z. Petersen dhe Kosova ju është mirënjohëse.
Ju na dhatë modelin e njeriut që ka guxim ta thotë të vërtetën dhe ta mbrojë atë. Jeni modeli i veprimit harmonik të njeriut dhe politikanit.
Kemi kaluar gjatë këtyre dy viteve edhe çaste të vështira, por në përpjekjet e tejkalimit të tyre na është forcuar dëshira për bashkëpunim. Besimi lehtëson bashkëpunimin. Përmes jush bota na ka kuptuar me lehtë. Veç kësaj, ju do të bëni akoma për Kosovën, kudo që të jeni. Për këtë jemi të sigurt.
Z. Petersen, duhet ta dini se ne ju kemi besuar kur na thatë këto ditë se do ta keni me vete Kosovën dhe ndjenjën e miqësisë për të.
Me angazhimin tuaj të palodhshëm keni vënë një gur të madh, të fortë në themelin e institucioneve të Kosovës me të cilin shpresoj se do të krenoheni, siç do të krenohemi ne për çdo gjë që kemi bërë bashkërisht gjatë këtyre viteve në Kosovë.
Më vjen mirë që kam rastin t’ua them këto gjëra përzemërsisht e sinqerisht dhe nuk janë vetëm fjalë kortezie që thuhen në momente ndarjesh. Por, edhe më mirë me vjen që ju e dini, të gjithë e dinë, se këto janë fjalë që i mendojnë edhe qytetarët e Kosovës.
Tani, ky takim është i fundit kur do të këmbejmë edhe ndonjë mendim bashkërisht me ju në cilësinë e Shefit të UNMIK-ut, por, pas kësaj dite, nuk do të jeni më në këtë cilësi, por do të vazhdoni të jeni vetëm mik i Kosovës. Dhe, kjo është shumë. Madje, në traditën tonë, kjo është e shenjtë.
Sot, unë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, institucionet dhe qytetarët e Kosovës, kemi vetëm një përshëndetje: Mirupafshim, z. Petersen! Pra, mirupafshim sa më shpejt! Kurdoherë që t’u jepet rasti, do të na gëzoni me vizitën tuaj. Ju tashmë jeni pjesë e Kosovës, zoti Petersen.
Tani, foltorja është për ju z. Petersen.
Prishtinë, më 29 qershor 2006