Lajmet e fundit
Petersen mban fjalim përshëndetës pra deputetëve të Kuvendit të Kosovës
, 29.06.2006
Në fillim të fjalës së tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovës Soren Jessen Petersen, ka përshëndetur kryetarin Sejdiu, kryeministrin Çeku, kryeparlamentarin Berisha dhe të gjithë parlamentarët e Kosovës, kurse ka falënderuar Kryesinë e Kuvendit për këtë fjalim lamtumirës, para se të largohet nga Kosova. Ai ka pranuar se ka emocione dhe se e ka vështirë që të largohet nga Kosova, pas punës që ka bërë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës gjatë dy viteve në krye të UNMIK-ut.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 - moment krenarie për Kosovën
Petersen i ka quajtur moment krenarie zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 dhe ka përkujtuar se regjimi i Beogradit u kishte sugjeruar serbëve të Kosovës që të mos merrnin pjesë në zgjedhje. Ai e ka vlerësuar se është dashur të mësohet praktika e funksionimit të pushtetit qendror me pozitë dhe opozitë, duke theksuar se sa është e rëndësishme kjo për diversitetin e demokracisë. Kryeadministratori, Petersen, me këtë rast, ka përkujtuar vështirësitë e krijimit të koalicionit qeverisës, por edhe përballimin me sukses të momenteve të vështira të dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, ngjarje kjo që ka pasur mundësi të krijojë destabilitet, por e cila është menaxhuar denjësisht. Ai, ndërkaq, ka lavdëruar punën e madhe të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e standardeve.
Rugova vdiq pa e parë realizimin e ëndrrës së tij
Ndër momentet e vështira për të dhe për Kosovën, Petersen ka përmendur sëmundjen e presidentit Rugova dhe vdekjen e personifikimit të aspiratës së popullit tij, pa e parë realizimin e ëndrrës së tij. Petersen, ndërkaq, ka pohuar se të gjitha ndryshimet në udhëheqje (në presidencë, Qeveri dhe Kuvend) pas vdekjes së Rugovës, janë bërë duke i respektuar rregullat demokratike dhe njëherësh duke i befasuar për të mirë shumë vende demokratike të botës, e që janë vlerësuar edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Peterseni, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, vëmendje të veçantë i ka kushtuar fillimit të bisedimeve për statusin e vendit dhe emërimin e Ahtisarit, si kryenegociator, duke u shprehur i bindur se statusi i Kosovës do të përcaktohet brenda pak muajsh. Ai ka tërhequr vërejtjen se vonimi i përcaktimit të statusit nuk do të jetë i mirë as sa i përket stabilitetit të rajonit. Petersen ka thënë se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën e popullit të Kosovës, por njëherësh edhe për pakicën.
Institucionet e Kosovës duhet të jenë përgjegjëse për vendin
Ndër sukseset e punës së tij në Kosovë, Petersen ka përmendur bartjen e kompetencave në institucionet e vendit. Ai ka pohuar se është angazhuar të krijojë bindjen në UNMIK e më gjerë se, institucionet e Kosovës duhet të jenë përgjegjëse për vendin. Duke folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Petersen ka pranuar se me gjithë përparimet e dukshme, nuk ka arritur të zvogëlohet papunësia e madhe në Kosovë. Ai është angazhuar që të krijohen kushte për investimin e kapitalit të huaj në Kosovë dhe kësisoj edhe shtimin e vendeve të punës për të rinjtë.
Serbët e Kosovës shpejtë do të çlirohen nga kjo tutoria e Beogradit
Petersen ka pohuar se ka qenë detyrë e misionit të tij në krye të misionit të UNMIK-ut në Kosovë që të krijojë kushtet për një shoqëri multietnike, se ka punuar shumë nëkëtë plan, sidomos për kthimin e serbëve. Ai ka theksuar se ka ndryshime pozitive në sjelljen e njerëzve të Kosovës, sa i përket kthimit, por se pengesa ka shkaktuar politika destruktuive e Beogradit. Ai është shprehur optimist se serbët e Kosovës shpejtë do të çlirohen nga kjo tutori dhe se vetë do të bëjnë zgjedhjen. Kosva ka qenë multietnike, është dhe do të jetë multietnuike ka thënë Petersen. Pas përcaktimit të statusit Kosova nuk do të dështojë dhe serbët e Kosovës do të gjejnë mundësi të gjëra të përparimit në te ka pohuar kreu u UNMIK-ut.
Në duart tuaja Kosova do të jetë e fuqishme
Duhet të krenohemi me të arriturat e Sherbimit Policor të Kosovës, ka thënë Petersen duke folur për mekanizmat e sigurisë në Kosovë dhe ka shtuar se Kosova duhet të bëhet vend i sundimit të ligjit. Kam parë rritën tuaj dhe pjekurinë tuaj për tu ballafaquar me sfidat që ju dalin, ka theksuar petersen. Në duart tuaja Kosova do të jetë e fuqishme ka thënë Petersen, i cili ka shprehur admirim me durimin e njerëzve të fshatrave dhe të qyteteve të Kosovës, në përballje me vështirësitë e jetës. Ai e ka vlerësuar privilegj që i është dhënë rasti të punojë për këta njerëz dhe për Kosovën.
Ëndrra e shumicës të mos bëhet ankth për të tjerët
Vullneti i shumicës së popullit të Kosovës është pavarësia, ka thënë Petersen, i cili ka sugjeruar që ëndrra e shumicës të ndahet me komunitete të tjerta; që kjo ëndrra të mos bëhet ankth për të tjerët.
Mik i përjetshëm i Kosovës
Kudo që të jem do të vazhdoj të punoj për njerëzit e Kosovës, ka thënë Petersen, i cili është zotuar se gjithmonëdo të jetë një mik i Kosovës. Kur ëndrra e juaj të bëhet realitet, memzi pres ta ndaj me ju këtë moment madhështor ka përfunduar Petersen. Petersenit i dhurohet “Hyjnesha në fron” Në përfundim të fjalës së kryeadministratorit Petersden, kryeparlamentari Berisha i ka dhuruar atij një vepër artistike me motive të “Hyjneshës në fron” që dokumenton lashtësin e civilizimit të kësaj pjese të Evropës. Mëpastaj Petersen ka pirë kafe miqësisht me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Para se të fillonte seanca kryeadministratori Petersen ka pasur një takim me kryeparlamentarin Berisha, në të cilin është biseduar për bashkëpunimin e shkuar dhe në të ardhmen.