Lajmet e fundit
U shënua 16-vjetori i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990
, 02.07.2006
Para hyrjes së ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, pikërisht në atë vend ku më 2 korrik 1990 u shpall Deklarata Kushtetuese, sot me një solemnitet rasti, të organizuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u shënua 16-vjetori i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
Në këtë solemnitet, pos përbërjes së legjislaturës 1989-1992, merrnin pjesë edhe Fatmir Sejdiu, kryetar i Kosovës, Agim Çeku , kryeministër, si dhe deputetë të legjislaturës së tashme të Kuvendit të Kosovës.
Duke hapur manifestimin, anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës Sabri Hamiti tha se jemi tubuar këtu për të shënuar një datë të veçantë të historisë sonë, të cilën në të gjithë së bashkë me Ibrahim Rugovën e quajmë Deklaratë e Pavarësisë. Aio pastaj i ftoi të pranishmit që me një minutë heshtje të nderojnë deputetët e asaj periudhe që në ndërkohë kanë ndërruar jetë. Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryeparlamentari Berisha, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi :” Në historinë mijëravjeçare të Kosovës dhe të popullit të saj, duke filluar nga themelimi i shtetit të parë ilir , shekulli IV para Krishtit, e deri në vitin e fundit të shekullt të kaluar, përkatësisht, deri më 12 qershor të vitit 1999, kur, njëherë e përgjithmonë, Kosova dhe populli i saj u çliruan nga robëria serbe, ka me qindra mijëra data historike, të cilat me mburrje e krenari i kujtojmë dhe i kremtojmë.
Një datë e tillë shumë e rëndësishme na ka mbledhur edhe sot, këtu në Kuvendin e Kosovës.
Por, jemi tubuar sot këtu, jashtë sallës, pikërisht për hir të një simbolike, sikundër gjashtëmbëdhjetëvjet më parë, për ta shënuar, siç do të thoshte Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova në mesazhin e tij të vitit 1997, “njërën ndër ditët më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës...” shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Pikërisht këtu, 16 vjet më parë, në rrethana tepër të vështira e të rrezikshme përfaqësuesit e popullit miratuan Deklaratën Kushtetuese e cila më vonë u mbiquajt Deklarata e Pavarësisë.
Ishte pra ajo koha, kur edhe në Ballkanin, përherë të trazuar, ashtu si edhe në shumë pjesë të tjera të Lindjës Komuniste, kishin filluar t’i dridheshin themelet Perandorisë së kuqe;
- kur vetëm pak më shumë se një vit më parë, Serbia, me ndihmen e tanksave, kishte ndërruar kushtetutën, duke suspenduar kështu, edhe atë autonomi të pakët që kishim, dhe kishte paralizuar krejtësisht jetën në Kosovë;
- kur me të madhe kishin filluar të realizohen skenarët e fëlliqur serbë për përmbysjen e çdo gjëje shqiptare;
- kur populli shqiptar, i mbetur edhe pa udhëheqjejen e tij të asaj kohe, kishte dalë në rrugë, dhe në formë të paorganizuar, por me vetiniciativë, i lënë krejtësisht stihisë, përpiqej t’i bënte rezistencë çmendurisë serbe, e cila me të gjitha mjetet dhe format e mundshme, vërsulej mbi të;
- kur me të madhe vazhdonin helmimet, vrasjet, arrestimet, burgimet dhe dënimet drakonike të të rinjëve shqiptarë;
- kur me të ashtuquajturën “procedurë të shkurtër”, ndërroheshin emrat e shkollave, të rrugëve, të shesheve dhe të institucioneve tjera kosovare;
- kur, në emër të njëfarë “dealbanizimi”, e që, në fakt, përmes mekanizmave të specializuar shtetërorë, për të satën herë gjatë historisë, po bëhej serbizimi i Kosovës, e në mënyrë institucionale, përmes makinerisë ushtarako-policore serbe e cila tashmë ishte në kulmin e lulëzimit të saj, bëheshin përpjekje që të zhbëhej kjo pjesë e popullit shqiptar dhe të shpërfytyrohej Kosova shqiptare.
Pra, mu në ato rrethana, ajka e mendimit shkencor dhe politik shqiptar e Kosovës së asaj kohe, me pajtimin e plotë edhe të prijsit të të gjithë shqiptarëve në ish - Jugosllavi, dr. Ibrahim Rugovës, e hartoi, ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, përmes delegatëve të tij, ndonëse të penguar që të hynin në sallë, e miratoi dhe e shpalli publikisht, për rrethanat e asaj kohe, Aktin më të lartë Juridik – Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ishte sublimim i dekadave të kaluara të popullit të Kosovës .Por njëkohësisht u bë edhe orientim, si një yll polar , për aktet e tjera madhore që pasuan.
Dhe, kështu me përgatitjen dhe shpalljen e asaj Deklarate; me hartimin dhe aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti, bashkë me Amandamentet e saj, dhe me Rezolutën për pavarësinë dhe sovranitetin Kosovës mbi bazën e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të vitit 1991, atëbotë, për herë të parë, pas Konferencës së Bunjajt, publikisht dhe në mënyrë mjaft të guximshme, iu tha një JO e madhe Serbisë.
Por, jo vetëm kaq.
Me aprovimin e këtyre dokumenteve, sikur iu hap dera procesit të ndërtimit dhe organizimit të të ashtuquajturave “institucione paralele” siç ishin: arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia, mbotjtja sociale, ndihmat solidare, vetëfinancimi, informimi, mbrojtja dhe rendi publik, politika e jashtme dhe ajo e brendëshme, etj, gradualisht, krahas bazës juridike, ndërtohej edhe ajo faktike, të cilat, e përgatitën popullin për një rebelim, për një rezistencë, në fillim paqësore aktive, e pastaj edhe të armatosur, që në fakt, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e parezervë ushtarake të miqëve, bëri edhe shkëputjen faktike të Kosovës nga Serbia.
Me Deklaratën dhe rëndësinë e saj sigurisht se do të merren studiuesit, por që sot mund të themi se edhe për aspektin teorik të studimit gjithnjë do të mund të merret si referencë - çka do të thotë kur një dokument, një akt mbështetet tek vullneti i popullit. Aktet e tilla qëndrojnë në kohë. Edhe Deklarata e 2 Korrikut , duke qenë vullnet i popullit, jo vetëm që nuk u zbeh e nuk u harrua, por erdhi gjithnjë duke u fuqizuar e respektuar edhe më shumë. Sot një vit, jam i bindur se do ta shënojmë edhe më fuqishëm. Do ta kremtojmë së bashku me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.
Si rezultat i Deklaratës së 2 korrikut, i Kushtetutës së Kaçanikut, i Referendumit për pavarësi, i ndërtimit të institucioneve të pavarura të Kosovës, i gjakut të derdhur të mijëra qytetarëve të Kosovës, i ndihmës së miqve të shumtë që na krijoi dhe na i la Presidenti, tashmë i ndjerë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i pjekurisë sonë politike në sprovat gjatë këtyre shtatë vjetëve të pasluftës në ndërtimin e shtetit, Kosova, shumë shpejt, do ta ketë dhe do ta festojë një datë tjetër, më të madhe dhe, vërtetë, më historike se sa të gjitha datat e tjera deri më sot - Ditën e Pavarësisë së plotë të saj”.
” Në emër të legjislaturës që shpalli Deklaratën e Pavarësisë, këtë manifestim e përshëndeti prijësi i asaj përbërjeje , Ilaz Ramajli, i cili u shpreh se ky akti i legjislaturës së vitit 1990, nuk ishte akt i izoluar , ai bazën e kishte në kërkesat e gjera të qytetarëve të Kosovës, të cilët kërkonin mëvetësi, ashtu si edhe njësitë tjera të ish-Jugosllavisë. Deputetët e atëhershëm mbështetëshin edhe në Deklaratën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe në qëndrimet e forumit të partive politike që u mbajt një ditë më parë.
Në shtegun drejt reakizimit të pavarësisë, ky akt i rëndësishëm pastaj u pasurua edhe me akte të tjera, si dhe me luftën çlirimtare, tha Ramajli.
Ramadan Kelmendi, nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputet i tashëm i Kuvendit, duke rikujtuar disa momente të kësaj ngjarjeje dhe të proceseve që hapi ajo, theksoi se sot në përvjetorin e 16 të miratimit të deklaratës Kushtetuese , duhet të jemi krenar dhe ballëhapur , sepse me kohë dhe në procese të rënda politike definuam qëllimin tonë të drejtë final - Pavarësinë e Kosovës.
Një delegacion nga ky solemnitet në përbërje: Fatmir Sejdiu, kryetar i Kosovës, Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Agim Çeku, kryemnistër i Kosovës dhe Ilaz Ramajli, Iljaz Kurteshi dhe Halit Muharremi deputetë të legjislaturës 1989-1992, pas përfundimit të manifestimit, vunë një buqetë lulesh të freskëta mbi varrin e Presidentit IbrahimRugova.