Lajmet e fundit

Deputetja Sahatqija takon përfaqësues te shoqërive aksionare nga Gjakova

, 10.07.2006




Shefja e Grupit Parlamentar ORA, Teuta Sahatqija, është takuar me përfaqësues te Shoqërive Aksionare nga Gjakova, për të biseduar për rrjedhën e procesit të privatizimit dhe statusin e shoqërive aksionare.

Ata i janë ankuar deputetes për statusin e pazgjidhur të Shoqërive Aksionare, për pasojë të të cilit këto ndërmarrje nuk mund të kenë qasje në kredi bankare, nuk kanë mundësi të marrin pjesë në tenderët, si të barabartë dhe janë të penguar të zhvillojnë aktivitetin normal afarist.

Ishte vlerësim i përbashkët i takimit se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka obligim ligjor ta bëjë regjistrimin e shoqërive aksionare, në bazë të vendimit të gjykatave.

Pas takimit Teuta Sahatqija u ka deklaruar gazetarëve se Gjakova ka qenë qyteti me industri shumë të zhvilluar, e cila ka punësuar mbi 20.000 të punësuar dhe ku shumica e produkteve kanë qenë të dedikuara për eksport. Këto shoqëri aksionare janë privatizuar me ligjet jodiskriminuese të kohës së Ante Markoviqit, ka thënë Sahatqija, e cila ka përkujtuar se me të njëjtën mënyre dhe në të njëjtën kohë janë shndërruar edhe të gjitha banesat shoqërore në banesa private, proces të cilin askush nuk e konteston. Ajo ka thënë gjithashtu se pas lufte, me udhëzimin administrativ 2002/22, neni 42 i datës 30.06.2003, të nënshkruar nga ana e Z. Shtajner, precizohet regjistrimi i shoqërive aksionare si biznese. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë as gjatë legjislacionit të kaluar e as në këtë legjislacion nuk e ka parë të arsyeshme t’i regjistrojë këto biznese, me gjithë shkallën enorme të papunësisë dhe efektet e mira ekonomike e sociale që mund të sjellin,ka thënë Sahatqija.