Lajmet e fundit

Delegacioni i Kosovës mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Pjetër Arbnorit

, 11.07.2006




Delegacioni i Kosovës, në përbërje: Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti e Xhavit Haliti, anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, Samet Dalipi, këshilltar i presidentit Sejdiu dhe Behxhet Haliti, shef i kabinetit të kryeparlamentarit Berisha, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Pjetër Arbnorit, ish- kryetar i Parlamentit të parë pluralist në Shqipëri dhe njëri nga të burgosurit më të njohur politikë të regjimit komunist.

Delegacioni nga Kosova bëri nderime në ambientet e Bashkisë së Shkodrës, ku ishte ekspozuar arkivoli i parlamentarit të njohur Arbnori, duke vënë edhe kurorë lulesh të freskëta, si dhe mori pjesë në meshën e mbajtur në Katedralen e Shkodrës. Ndërkaq, në ceremoninë e varrimit , e cila u bë me nderime më të larta shtetërore, kryeparlamentari Kolë Berisha mbajti edhe një fjalim të përmortshëm për shëmbëlltyrën e Pjetër Arbnorit. Në momentet e dhembshme të ndarjes fizike nga politikani i shquar Pjetër Arbnori , kryeparlamentari Kolë Berisha tha:

“E nderuar familje Arbnori,
E nderuara Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Topalli,
Vëllezër dhe motra të pikëlluara,
Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që, në emër të delegacionit nga Kosova, i cili përfaqëson Presidencën, Parlamentin, Qeverinë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe mbarë popullin e Kosovës, dhe, njëherësh edhe në emrin tim personal, që në këto momente kaq të rënda të ndarjes fizike nga Njeriu dhe politikani i shquar, së pari, Ju familje e nderuar e Pjetrit, pastaj, Ju zonja Topalli, institucioneve të Shqipërisë, të gjitha forcave politike, popullit të Shkodrës dhe në veçanti asaj pjese të kolegëve me të cilët Pjetri i kaloi vitet më të rënda të jetës së tij nëpër kazamatet shqiptare, t’ju shpreh ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta duke u përpjekur kështu që ta ndajmë me ju këtë dhembje të madhe që po lë, por edhe krenare që e patëm.

Të nderuar të pranishëm,

Lajmi i hidhur për vdekjen e bashkëshortit, prindit, vëllait dhe bashkëqytetarit Tuaj, Shkodranit, tashmë të ndjerë, Pjetër Arbnorit, mua personalisht, Parlamentin, Presidencën, Qeverinë, të gjitha institucionet dhe mbarë popullin e Kosovës, na tronditi pa masë.

Nuk dëshironim të besonim, se, vërtet ka vdekur njeriu i cili, për plotë tridhjetë vjet të jetës prej të burgosuri të ndërgjegjes, aq shumë, aq shpesh dhe aq burrërisht e sfidoi vdekjen.

Por, e keqja, gjithmonë e mban fjalën.

Thuhet se, njerëzit e kazamateve, ose e humbin shëndetin (të shumtën e rasteve atë mental), ose e humbin nderin, karakterin dhe burrërinë.

Por, Pjetri nuk ishte kopje e askujt.

Ai ishte ekzemplar, pothuajse i veçantë.

Ashtu, i papërsëritshëm, siç ishte i ruante, i krijonte dhe i çmonte vetëm vlerat e njëmendëta.

Prandaj, kemi ardhur sot këtu, që bashkë me Ju, familjarë të Pjetrit, bashkë me ju bashkëpunëtorë e bashkëvuajtës të Pjetrit, kemi ardhur sot dhe këtu që t’ ia bëjmë nderimet, mbase jo të fundit, njeriut, intelektualit, disidentit, politikanit, Mandelës shqiptar të shekullit XX, burrështetasit, krijuesit, pra, njeriut të penës, patriotit të pathyeshëm – njeriut që aq herë e pa vdekjen me sy - Pjetër Arbnorit.

Erdhem sot këtu, jo të ndahemi nga Pjetri, por për t’ia thënë një Faleminderit të madhe.

T’i themi: Të falëmi nderit Pjetër, që me jetën dhe me veprën tënde, na lë modelin e njeriut të sakrificës për një ideal të shenjtë – lirinë; na e le modelin e njeriut të guximit për t’u ndeshur, edhe atëherë kur kjo dukej absurde, me demonët e kuq të diktaturës komuniste, të njeriut të qëndresës së pathyeshme në burgjet e komunizmit; të njeriut të punës prej një pionieri, por të zellshëm, në formimin e Partisë së parë demokratike në Shqipëri; të Njeriut të punës së palodhshme në formimin e institucioneve të para pluraliste në Shqipëri.

Erdhëm sot këtu, të shprehim admirimin tonë për Njeriun i cili, përkundër rrethanave në të cilat e kaloi një pjesë - pjesën më të madhe të jetës, gjithmonë diti të qëndrojë vertikalisht, të qëndrojë stoik dhe i papërkulur.

Pjetri ishte njeri i modelit të Njeriut, të cilin rrallë na jepet rasti për ta parë. E di, vështirë do ta kemi pa të.

Por, lë të përpiqemi që të gjejmë ngushëllim tek kujtimi për të , tek fjalët dhe porositë që na ka lënë, tek vepra e tij në të cilën gjendet një pjesë e jetës dhe e figurës së Pjetër Arbnorit.

Por, Pjetri ishte njeri i veçantë.

Ai e dinte se, “Atdheu duhet dashtë, edhe atëherë kur ai të vret”.

Dhe, Pjetri, vërtet e deshi Atdheun, e deshi Shkodrën, edhe atëherë kur ajo nuk e deshi Pjetrin.

Por, Pjetri diti të mbetet i Madh.

Dhe, ai, vërtet mbeti i tillë, i Madh.

Të tillë, të Madh, e kishte bërë vetë dashuria ndaj Atdheut.

Para dhe pas ceremonisë së varrimit kryeparlamentari Berisha kishte disa takime , si me :kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallin, udhëheqjen e Prefekturës së Shkodrës, disa ministra të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorin e Italisë në Shqipëri,z. Masimo Januçi, si dhe konsullin e Italisë në Shkodër, z. Roberto Orlando.

Delegacioni nga Kosova, parmbrëmë u kthye në Prishtinë.
Delegacioni i Kosovës mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Pjetër Arbnorit