Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti përfaqësuesin special të Solanës, Torbion Sollstrom
, 12.07.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot përfaqësuesin special të kryediplomatit të BE-së Solana, z. Torbion Sollstrom, me të cilin ka biseduar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, sidomos të formave të pranisë së BE-së në Kosovë, pas përcaktimit të statusit të saj.
Duke e vlerësuar ndihmën e madhe të Bashkimit Evropian, sidomos rëndësinë që ka për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit, kryeparlamentari Berisha e ka quajtur të domosdoshme praninë e lehtë civile dhe ushtarake të BE-së në Kosovën e passtatusit.
Përfaqësuesi special i Solanës për Kosovë, z. Torbion Sollstrom ndër prioritetet e angazhimeve të BE-së në Kosovë ka përmendur ngritjen e mekanizmave financiarë, ndihmën për funksionalizimin e policisë dhe drejtësisë, por edhe të kontrollit të tyre, si dhe çështje të implementimit të statusit, që do të koordinohet në bashkëpunim edhe me SHBA-të.
Kreu i legjislativit të Kosovës ka theksuar se statusi i vendit nuk duhet të jetë në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, ndërkaq ka vlerësuar se ndihma e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovën e passtatusit duhet të përqendrohet në aktivizimin e resurseve natyrore dhe njerëzore që i posedon Kosova.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që prania e ardhshme e BE-së, nëpërmjet zyrës së saj në Kosovë të jetë në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të përmbushjes së obligimeve të përbashkëta.