Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti në një takim lamtumirës shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, z. Phillip Goldberg

, 12.07.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim lamtumirës me shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, z. Phillip Goldberg. Kryetari i Kuvendit gjatë këtij takimi theksoi rëndësinë e angazhimeve dhe kontributin e z.Filip Goldberg gjatë kohës sa ka qëndruar në krye të Misionit të SHBA-ve në Kosovë. Bashkëpunuam , tha z.Berisha ,në një periudhë tepër të rëndësishme për Kosovën, në të gjitha aspektet. Pa ndihmën tuaj do ta kishim shumë të vështirë për t’u ballafaquar me disa procese , situata e sfida të cilat i kaluam gjatë kësaj kohe, e që janë me rendësi për të sotmen dhe për statusin e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha shprehu bindjen se edhe shefja e ardhshme e Zyrës Amerikane do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim për të avancuar edhe më proceset aktuale në Kosovë . SHBA-të, shprehu besimin Berisha , do të jenë gjithnjë prezente dhe aktive në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe , tha z. Berisha, si Kuvend kemi bërë hapa te rëndësishëm të cilët do të kenë peshë të veçantë në vlerësimin e pjekurisë politike të Kosovës për statusin final. Me ndihmën tuaj ,me ndihmën e bashkëpunëtorëve tuaj , ishim shumë të sigurt në hapat e reformës që bëmë në Parlament.

Në prononcimin para mediave kryeparlamentari Berisha theksoi se ndarjet me miq janë gjithmonë të dhembshme, megjithëse ky nuk është takim ndarjeje, por takim lamtumirës, që premton takime të serishme. Z. Goldberg është mik i madh i Kosovës. Një pjesë e rëndësishme e rezultateve të arritura në Kosovë janë meritë edhe e z. Goldberg. Për të gjitha këto ai e falënderoi Z. Goldberg ngrohtësisht, duke uruar që edhe më tutje të jetë mik i madh dhe avokat i Kosovës.

Në këtë frymë edhe z. Goldberg u falënderua për bashkëpunimin me kryeparlamentarin Berisha , ndërsa në vijim ai shprehu mirënjohjen për punën që ka bërë z. Berisha në promovimin e rregullave dhe procedurave demokratike në Kuvend. Kjo ka qenë e shumë e rëndësishme, sidomos në këtë periudhë të përcaktimit të statusit final të Kosovës.

Në pyetjen se cilat ishin disa nga momentet më të vështira dhe ato më të mira që do t’ i mbajë posaçërisht në kujtesë, z. Goldberg theksoi se ndër momentet më të rënda që ka përjetuar ishte vdekja e Presidentit Rugova , e cila ishte një humbje prekëse, jo vetëm për Kosovën , por edhe për të, si dhe ditët e shkuarjes së ish- kryeministrit Haradinaj në Hagë. Ndërsa, momentet e mira ishin ato kur ai vizitonte familje të ndryshme nëpër fshatra dhe pjesëmarrja e tij në ceremoni të ndryshme solemne .

Kryeparlamentari Berisha priti në një takim lamtumirës  shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, z. Phillip Goldberg