Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha vuri gurthemelin e shkollës në Petrit të Dardanës

, 18.07.2006




Në fshatin Petrit të Dardanës u mbajt një ceremoni solemne me rastin e fillimit të punëve për ndërtimin e shkollës së re në këtë fshat. Donatorë të këtij projekti janë fondacioni Bauchmann nga Zvicra, ndërsa realizimi bëhet përmes Caritas-it të Zvicrës dhe Caritas-it të Kosovës. Në ceremoni, pos kryetarit të Kuvendit të Kosovës, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Dardanës, Shaip Surdulli, drejtori i Caritas-it për Kosovë, don Albert Krista, drejtues të arsimit nga komunat Dardanë dhe Gjilan, si dhe përfaqësues amerikanë të KFOR-it. Duke mbajtur fjalën e hapjes në këtë ceremoni, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ndër të tjera tha se pjesëmarrja në ceremoninë e ndërtimit të një shkolle të re, siç është rasti i sotëm në fshatin tuaj, përveç rëndësisë, ka edhe të veçantat në aspektin emocional. Sapo të dëgjosh togfjalëshin “do të nisë ndërtimi i një shkolle të re” ndjen një valë gëzimi, një gjendje të veçantë emocionale. Këtë ndjenjë gëzimi dhe emocioni po e ndjejmë dhe sot në fshatin tuaj, Petrit, sepse po marrim pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës. Kur vihen themele te reja të një shkolle, si sot këtu në fshatin tuaj, na shkon nëpër mendje përpjekja dhe dëshira e zjarrtë e edukimit nëpër familjet tona, me aq sa kanë ditur e mundur, duke bartur brez pas brezi virtytet e respektit, të miqësisë, të besës, të trimërisë, të dashurisë për atdheun, të dashurisë për punën.

Gurthemelet kujtojnë përpjekjet titanike të rilindësve për të ruajtur identitetin

Kur niset një shkollë e re, theksoi kryeparlamentari Berisha, na vete mendja dhe kujtojmë me respekt të veçantë përpjekjet titanike të patriotëve dhe të rilindësve për të ruajtur e për të shpëtuar gjuhën, kulturën e identitetin tonë nga vërsuljet e ndryshme barbare. Pikërisht shkolla ishte simbol i luftës për shpëtim, siç ishte pikërisht shkolla caku i parë i sulmit nga të gjithë ata që i pengonte mbijetesa dhe emancipimi ynë. Kur vihen themelet e shkollës së re gjithashtu kujtojmë me pietet të veçantë përpjekjet dhe sakrificën e patriotëve të cilët bënë jetën e tyre theror për mbrojtje të shkollës. Ne raste të tilla e themi hapur e fuqishëm se e dimë dhe e çmojmë sakrificën e tyre, dhe minimumi që mund dhe duhet të bëjmë është që brezave të ardhshëm t’u tregojmë pse ata u sakrifikuan. Ndërsa, falënderimi më i mirë është gjithsesi realizimi i ëndrrës së tyre për sa më shumë shkollë e dije.

Në universitete të botës shënohen rekorde shkencore nga të rinjtë kosovarë

Kujtojmë në këto raste emrat, si: Papa Kristo Negovani, Hoxhë Tahsini, pastaj Dom Mikel Tarabulluzi, etj. Por, kujtojmë njëkohësisht edhe shumë emra që nëpër bankat e shkollës shqipe dolën në arenën botërore për t’i dhënë njerëzimit vlera të çmuara. Theksojmë me krenari se edhe sot, në shumë universitete të botës, në laboratorët më të famshëm, me zell po studiojnë e po shënojnë rekorde shkencore shumë te rinj e të reja nga Kosova. Më lejoni të shpalos para jush edhe një pjesë të përpjekjeve të brezit tim, të kolegëve të mi, të cilët u dëbuan nga puna, sepse dolën në mbrojtje të emrit të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Është e qartë se atij regjimi nuk i pengonte vetëm emri i Luigjit, por i pengonte pikërisht shkolla shqipe, i pengonte dëshira për dije. Më lejoni të them se në këto raste dihen edhe miqtë e mirë, miqtë tanë të vërtetë siç është Caitas-i. Në vend të ndihmës për një ditë, duke na dhënë peshk, ata zgjodhën rrugën e mësimit të peshkimit, sipas proverbit, duke dhënë një ndihmë të veçantë që shërben për tërë jetën. Falënderojmë dhe jemi mirënjohës për këtë ndihmë. Hapja e një shkolle të re gjithmonë dhe kudo është lajm i mirë. Lajm i gëzuar. Kjo shkollë dhe shkolla të tjera vijnë në një moment domethënës për faktin se me mbylljen e procesit të statusit final do të hapim kapitullin tjetër. Në shtetin e pavarur të Kosovës të fillojë gara e fortë e dijes, emancipimit. Do të fillojmë realizimin e aspiratës që edukimi të vijë në vendin e merituar, të prioritetit numër një. Do t’u tregojmë të gjithëve se nuk kemi frikë nga konkurrenca. Po e mbyll këtë fjalë duke ju kujtuar vargun e Naimit “…se vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Kujtoni çdo ditë këtë porosi. Ju presim të na ftoni shumë shpejt në ceremoni të çmimeve për rekorde e rezultate në gara. Punë të shpejtë e të mbare, juve ustallarë, dhe rruge të mbarë, shumë suksese për të gjithë ju nxënës e arsimtarë të shkollës, tha Kolë Berisha .

Kryeparlamentari Berisha vuri gurthemelin e shkollës në Petrit të Dardanës