Lajmet e fundit
Seanca plenare mbahet më 27 korrik
, 19.07.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për Seancën plenare të 27 korrikut.
Në fillim të seancës deputetët do të kenë rast të shtrojnë pyetje për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj do të kalohet në shqyrtimin e projektligjeve. Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për trashëgimin kulturore, ai për Ndryshimin e Ligjit Nr. 2004/5 për tregti me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Projektligji për zonat e lira industriale dhe ai për Parqet nacionale. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për Ushqim dhe ai Për përdorimin e gjuhëve.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen propozimet e grupeve parlamentare për emërimin e anëtarit në Këshillin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), kurse në Kryesi është thënë se propozimi i emrave për këtë post duhet të bëhet deri më 22 korrik.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Raportin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Energjetikë, Miniera, Transport e Telekominacion lidhur me raportin e ART-së për punën një vjeçare 2005, si dhe propozimin e Qeverisë për emërimin e kryesuesit të Bordit të Rregullatorit të Energjisë.
Në seancë do të procedohet edhe me emërimin e zëvendësministrit të Drejtësisë, nga radhët e komunitetit turk.
Kryesia ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të grupeve e të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë.