Lajmet e fundit
MENAXHIMI FINANCIAR NË KUVENDIN E KOSOVËS DHE PLANET PËR TË ARDHMEN
, 21.07.2006
Procesi i reformës në Parlamentin e Kosovës ka përfshirë edhe menaxhimin e buxhetit për këtë vit si dhe procedurën e hartimin të tij për periudhën e ardhshme. Kështu, në këtë periudhë 4-mujore kemi pasur kursime të theksuara të shpenzimeve të telefonit, të bufesë dhe të karburanteve për vetura, ndërsa kemi pasur rritje shumë të theksuar të shpenzimeve të udhëtimit jashtë vendit, shpenzime që janë shkaktuar nga ana e deputetëve dhe që dëshmojnë orientimin tonë për të mbështetur aktivitetet e tyre me qëllim të forcimit të kooperimit ndërkombëtar. Kursimet do të vazhdojnë edhe më tutje në drejtim të zvogëlimit të shpenzimeve të panevojshme, ndërsa si krahasim mund t’jua prezantojmë periudhat kohore Janar – Qershor të viteve 2005 dhe 2006, ku kemi një zvogëlim të shpenzimeve në lartësi prej afër 85.000 €.
Për me tepër, ndryshime progresive vërehen te procedura e draftimit të buxhetit për vitin vijues si dhe planifikimi strategjik për vitet 2008-2009. Kështu, sikur edhe duhet të jetë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, Draft- Buxheti për vitin 2007 është përgatitur nga ana a Komisionit për Buxhet dhe Financa – një praktikë e tillë po zbatohet për herë të parë në Kuvend. Ky Komision, pas konsultimeve të shumta me administratën e Kuvendit, me ekspertët e jashtëm dhe të brendshëm, ka përgatitur Draft-Buxhetin për vitin 2007, i cili dokument së shpejti do t’i prezantohet Kryesisë së Kuvendit, e gjithashtu është bere planifikimi strategjik zhvillimor dhe për shpenzimet kapitale edhe për vitet 2007-2008.
Parashihen të bëhen ndryshime të rëndësishme në drejtim të stimulimit të mëtejmë të punës së deputetëve, të komisioneve dhe të grupeve parlamentare. Pagat bazë do të kenë rritje substanciale dhe të gjithë deputetët në të ardhmen do të kenë pagën bazë të barabartë. Dallimet do te jenë në pjesën stimuluese për pjesëmarrje të rregullt në seanca plenare, për punën e tyre në Kryesi, në Komisione apo në Grupe Parlamentare.
Ne vazhdën e këtij plani strategjik të shpenzimeve të Kuvendit për vitet 2007-2009, parashihen edhe ndryshime strukturore të të punësuarve në Kuvend. Kështu do të ketë mbështetje shumë më të madhe të Departamentit për Mbështetje Ligjore dhe Profesionale, nga i cili varet edhe mirëvajtja e të gjitha aktiviteteve në Kuvend. Në kuadër të këtij Departamenti do të themelohet Njësia për Legjislacion dhe Standardizim, e cila njësi do t’i ketë 7 ekspertë të profilit të lartë, të cilët do të mbështesin punën e Komisioneve në kuadër të Kuvendit. Pastaj, gjithashtu do të forcohet Njësia e Bibliotekës dhe e Arkivit si dhe Njësia e Shërbimeve Kërkimore-Shkencore.
Sa i përket shpenzimeve të klasifikuara në mallra dhe shërbime, ato do të jenë pothuajse në nivel të njëjtë me vitin 2006. Do të ketë një rritje të lehtë të shpenzimeve të destinuara për udhëtime jashtë vendit. Kjo nga presupozimi se këtë vit do të zgjidhet statusi final i Kosovës dhe se në vitin vijues do të ketë kërkese dhe nevojë më të madhe për udhëtime jashtë. Në këtë kategori të shpenzimeve do të ketë edhe trajnime që do të organizohen për deputetë dhe për punëtorët e administratës së Kuvendit për programet e ndryshme, si: Sistemi i votimit elektronik, Sistemi i Menaxhimit të Dokumenteve (DMS), WhiteBoard, MS PowerPoint, Outlook.
Plani Strategjik i shpenzimeve për periudhën e ardhshme 3-vjeçare përfshin edhe investimet kapitale ne Kuvend. Është bërë lista e prioriteteve, ku krahas përfundimit të Qendrës Protokollare hyjnë edhe: renovimi i sistemit elektrik në ndërtesën e Kuvendit, sistemi i ngrohjes, ndërtimi i ashensorit, riparimi i kulmit si dhe ndërrimi i dyerve e dritareve.
Prishtinë, 21 korrik 2007