Lajmet e fundit

Nga konferenca për shtyp e kryeparlamentarit Berisha

, 21.07.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka mbajtur sot një konferencë shtypi me gazetarë, në prag të pushimit veror të deputetëve, në të cilin ka folur për punën e Kuvendit në katër muajve e shkuar, për reformat e zbatuara në legjislativin e vendit, për demokratizimin e raporteve në Parlament, për kursimet financiare që janë bërë dhe për një varg çështjesh të tjera të organizimit dhe të funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës.

Në vazhdim po japim fjalën hyrëse të kryeparlamentarit Berisha për punën e Kuvendit të Kosovës në katër muajt e shkuar, prej se e ka marrë përgjegjësinë ta udhëheq institucionin më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të vendit:

Kemi lënë mbrapa një periudhë të angazhimeve intensive dhe, sipas vlerësimeve tona, edhe rezultative. Mendoj se periudhën e pushimeve të gushtit mund ta presim me qetësi dhe të kënaqur, ngase kemi përmbushur objektivat e premtuara më datën 10 mars të këtij viti, kur kam marrë postin e kryetarit të Kuvendit.

Deputeti do të jetë zot shtëpie në Kuvendin e Kosovës

Çështja e parë që dua të theksoj është avancimi solid që kemi bërë në qëllimin dhe prioritetin për t’i dhënë deputetit të Kuvendit dinjitetin që meriton, si përfaqësues i popullit. E kemi bërë të qartë dhe gjithnjë e theksojmë se nuk duam që deputetët të jenë vetëm makineri vote, jo objekt por subjekt në të gjitha fazat dhe në të gjitha proceset.Deputeti do të jetë zot shtëpie në Kuvendin e Kosovës.

Janë miratuar 14 ligje - 16 të tjera janë në procedurë shqyrtimi

Gjatë këtyre katër muajve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 14 ligje, nga të cilët PSPP-ja ka shpallur vetëm një. Në këtë periudhë, në Kuvend, kanë kaluar shqyrtimin e parë 12 ligje, kurse edhe 4 ligje presin të shqyrtohen në parim.

Për reformën në punën e Kuvendit

Pa u ndalur në shifra e statistika, që në fillim do të doja të shquhet dhe të theksohet se, në mesin e aktiviteteve të rregullta, gjatë kësaj periudhe kemi arritur miratimin e planit të reformës në punën e Kuvendit.

Sipas këtij projekti, të miratuar me votë unanime (edhe ky unanimitet është një sukses i jashtëzakonshëm), ka filluar tashmë të zbatohet Kalendari vjetor i mbledhjeve të Kuvendit, të Kryesisë së Kuvendit, të grupeve parlamentare dhe të komisioneve të Kuvendit. Është po ashtu në zbatim një kalendar i ngjarjeve dhe aktiviteteve të Kuvendit, që nënkupton paralajmërimin për periudha dymujore të shtruarjes për shqyrtim të çështjeve të veçanta. Elementi i tretë dhe thelbësor i reformimit është Plani i standardeve, i cili përfshin: periudhën obligative të pyetje-përgjigjeve në kohëzgjatje prej 50 minutash në fillim të çdo seance plenare, interpelancat e rregullta, mbështetjen teknike të komisioneve, ndryshimin e planit të brendshëm të administratës, projekt-buxhetin e iniciuar nga Komisioni për buxhet e Financa, përmirësimet në menaxhimin e sistemit informativ, qasjen e medieve dhe të publikut në dokumentet zyrtare dhe listën e çështjeve për t’u diskutuar, e që i jep strukturë rendit të ditës dhe statusit të ligjeve.

Elementi i katërt përbërës i reformës së punës së Kuvendit është plotësim-ndryshimi i disa dispozitave të Rregullores së punës së Kuvendit, për ta bërë normativisht të zbatueshme këtë reformë.

Reforma dhe Plani i standardeve, miratuar më 1 qershor 2006, është pa dyshim ndër hapat e mëdhenj, me efekte të theksuara, në punën e Kuvendit dhe për rëndësinë që ka për demokracinë në Kosovë. Ne natyrisht se krenohemi me këtë sukses, ndërsa vlerësimi për këtë të arritur nuk është vetëm yni. Vlerësime të larta për këto ndryshime pozitive, siç e dini, na kanë ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, nga OSBE-ja, nga Parlamenti Evropian, nga zyrat diplomatike në Kosovë, nga monitoruesit dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë të punës së Kuvendit të Kosovës.

Më shumë pyetje të deputetëve në dy seancat e fundit se sa për gjithë seancat e pesë viteve të shkuara

Nëse keni vërejtur me kujdes vetëm dy seancat e fundit plenare, në kohën e pyetje-përgjigjeve janë shtruar pyetje dhe janë dhënë përgjigje më shumë se gjatë pesë viteve ta kaluara. Është ky kualitet i ri në punën e Parlamentit që e ka sjellë reforma. Me këto reforma, në përgjithësi, e veçanërisht me sistemin e pyetje-përgjigjeve, është instaluar një model që dinamizon procesin dhe punën e Kuvendit të Kosovës. Kjo tregon se tashmë ka filluar të zbatohet koncepti i menduar për dinamizim të punës, për transparencë, për ngritje të përgjegjësisë, të cilat bëjnë hapin vendimtar në realizimin e rolit demokratik të Parlamentit dhe garantojnë kontroll demokratik mbi punën e Qeverisë, si një nga funksionet kryesore që kërkohet nga Parlamenti. Nuk ka më vend për letargji dhe ecje të molisura. Pyetjet dhe shqetësimet e deputetëve do të marrin përgjigje të menjëhershme nga ministrat, e jo të shtyhen dhe të lihen margjinave deri në momentin kur humb kuptimi i pyetjes, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën. Opozita ka shansin të thotë fjalën e vet për çdo gjë, ndërsa ministrat nuk kanë pse të frikësohen nga kjo. Nëse kanë përgjigje të mira, përgjigje të forta, nderojnë vetveten, Qeverinë, partinë e vet dhe shtojnë kredibilitetin e tyre. Nëse punojnë, nëse kanë rezultate, ky është shans që të tregohet puna e tyre. Nëse nuk kanë përgjigje, le të kuptojnë se nuk janë në nivelin e përgjegjësisë. Pra, kemi vënë një lloj prozhektori në Kuvend ku askush nuk mund të fshihet – do të dihet e do të shihet mirë edhe puna edhe mospuna e secilit. Kjo është në interes të demokracisë, kjo është në interes të Kosovës. Në këtë mënyrë, deputetët do të realizojnë funksionin dhe misionin e tyre përfaqësues. Por, më lejoni gjithashtu të tërheq vërejtjen se tërë kjo nuk është qëllim, por vetëm mjet, logjistikë strukturore, për të arritur drejt qëllimit të madh - realizimit të mirëfilltë të rolit të Kuvendit të Kosovës si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës.

Debati i lirë dhe demokratik - relaksim i seancave plenare

Këto projekte i kemi vlerësuar si një presupozim solid për të mundësuar fjalën e hapur, debatin e lirë, demokratik, e të argumentuar, për të gjithë, qoftë për pozitën apo për opozitën. Atmosfera e krijuar në seancat e Kuvendit tregon relaksim të përgjithshëm, tregon një kulturë komunikimi me gjuhë parlamentare. Synojmë që këtë aspekt ta perfeksionojmë edhe më tej duke mos cenuar asnjëherë debatin, konfrontimin e argumentuar të opinioneve, fjalën e lirë dhe mikrofonin e hapur. Shpresojmë se në këtë mënyrë po arrijmë praktikisht të realizojmë një synim me të cilin e kemi nisur këtë punë - sjelljen e debatit dhe të dialogut në sallën e Kuvendit e jo në kuluare, nëpër çajtore, etj. Këtu do të ketë debat, por sipas rregullave. Është fat i mirë yni se nuk kemi për të zbuluar modele të reja kur mund të vejmë në zbatim ato modele të punës që tashmë përdoren nga demokracitë perëndimore. Edhe këtë reformë e kemi bërë me ndihmën e tyre.

Miratimi i ligjeve në funksion të përmbushjes së standardeve

Na gëzon veçanërisht fakti se këto projekte, që ne i quajmë suksese, përmbajnë brenda vetvetes edhe përmbushjen e një standardi që na është kërkuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, e që lidhet ngushtë me çështjen e statusit. Kjo ka të bëjë me organizimin e brendshëm të Kuvendit, me përmbushjen e normës për demokraci, me transparencë e përgjegjësi, por edhe me aspektin tjetër të miratimit të atyre ligjeve që në mënyrë specifike janë kërkuar nga Grupi i Kontaktit dhe që e kanë peshën e veçantë si standarde. Më lejoni t’ua përkujtoj se këto tri ligje janë: Ligji për liritë fetare, Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Ligji për trashëgiminë kulturore. Ligji për liritë fetare tashmë e dini se është miratuar në seancën e fundit, pra është ad acta, është çështje e kryer. Ligji për përdorimin e gjuhëve po ashtu është draft i përfunduar dhe do të jetë para deputetëve për miratim në seancën e 27 korrikut. Edhe Ligji për trashëgiminë kulturore është përfunduar dhe do të jetë për lexim të parë në seancën e radhës. Tetori është caktuar si afat për miratimin e këtyre ligjeve ndërsa ne shpresojmë se do t’i realizojmë edhe para këtij afati, madje dy prej tyre para pushimeve verore të gushtit.

Ndonjë çështje e mbetur që ka të bëjë me standardet është më shumë e karakterit teknik e procedural se sa përmbajtjesor. Me një fjalë, e themi me kënaqësi se, me aspektin e standardeve, kemi evituar një pengesë të rëndësishme drejt statusit final për Kosovën. Puna në Kuvend dhe demokratizimi i brendshëm është standard i plotësuar. Natyrisht, jemi të përgatitur dhe të mobilizuar vazhdimisht për pjesën tjetër dhe më të rëndësishme të realizimit të rolit të Kuvendit në firmosjen dhe në vulosjen e projekteve që do të arrihen për statusin final.

Bashkëpunimi ndërkombëtar i Kuvendit të Kosovës

Edhe një segment tjetër që dua të veçoj është bashkëpunimi ndërkombëtar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe, kam zhvilluar disa vizita jashtë Kosovës: në SHBA, në Shqipëri dhe në Greqi. Edhe këtu, në Prishtinë, kam pasur takime të shumta, pothuaj të përditshme, me zyrtarë e me diplomatë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Më lejoni të veçoj para së gjithash vizitën në SHBA: në Uashington, në Nju-Jork dhe në Detroit. Gjatë qëndrimit njëjavor në SHBA, në takime të niveleve të larta në Stejt-Department, gjatë takimeve me senatorë e kongresistë, pastaj gjatë takimeve me drejtues të NDI-së, në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare, etj., gjeta një klimë të ngrohtë të interesimit për mbështetje proceseve në Kosovë, për shpejtimin e definimit të statusit politik të Kosovës, si dhe për mbështetje të Kosovës në periudhën e passtatusit. Dua të transmetoj përshtypjet e mira edhe nga takimi me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe me mërgatën tonë atje.

Me takime bilaterale e vizita kam shpjeguar ecuritë pozitive të proceseve në Kosovë, progresin në punën e Kuvendit dhe kontributin tonë në përgatitjet për statusin final të Kosovës. Në të gjitha këto takime është shpjeguar puna e Kuvendit, vullneti i popullit të Kosovës për të ardhmen, tiparet e shtetit të Kosovës si anëtare e familjes së shteteve moderne, me karakteristika moderne të një shteti të qytetarëve të barabartë me liri e drejta të garantuara për të gjithë. Kemi shpjeguar, dhe mendoj se i kemi bindur, për diskriminimin pozitiv lidhur me minoritetet, për ftesën e sinqertë që u kemi bërë dhe që u bëjmë përditë deputetëve serbë për pjesëmarrje në seancat plenare të Kuvendit, premtimin se në Kuvend do të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë deputetët e tjerë. Kur flas për vizita e komunikime të këtij karakteri ndërparlamantar, flas edhe për vizitat e mia si kryetar i Kuvendit por edhe për vizitat dhe kontaktet e tjera të shpeshta që kanë pasur edhe anëtarët e Kryesisë, kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve dhe deputetët. Kështu, për shembull, shumica prej tyre bashkërisht kanë marrë pjesë në takimin e Selanikut - organizuar nga Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave. Në këtë takim është punuar një javë në hartimin e ligjit të veçantë për të drejtat e komuniteteve. Ky angazhim i Kuvendit është vlerësuar shumë lart nga organizatorët edhe për faktin se vetë kryetari i Kuvendit mori pjesë në hapje të këtij takimi. Pothuaj e njëjta përbërje ndodhet sot në Shkup në tryezën e organizuar nga OSBE-ja në kërkim të një kushtetute sa më të mirë për Kosovën. Në hapje të kësaj konference mbrëmë kërkova që Kushtetuta të jetë moderne, të përfshijë aspiratat e kosovarëve për shtet demokratik, me liri e të drejta të garantuara për të gjithë.

Bashkëpunimi me mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë

Bashkëpunim efikas kemi pasur me zyrat e akredituara në Prishtinë, me UNMIK-un, me OSBE-në, të cilat kanë koordinuar një pjesë të projekteve për mbështetje Kuvendit të Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, po veçojmë kontributin e AER-it, Konsorciumin e katër parlamenteve të vendeve evropiane (Gjermani, Francë, Belgjikë dhe Slloveni) për mbështetje të punës së Kuvendit, pastaj ndihmën e çmuar nga USAID-i dhe nga NDI-ja.

Duke i kushtuar vëmendje bashkëpunimit me UNMIK-un, konkretisht me zotin Petersen, kemi arritur të zvogëlojmë numrin e ligjeve që presin për nënshkrim ratifikues, pastaj kemi arritur që disa preokupime tonat t’i shndërrojmë në angazhim të përbashkët, siç është angazhimi (shpresojmë edhe rezultati) për të mundësuar vazhdimin e ndërtimit të objektit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Dua të bëj të qartë se në shumë ftesa nuk kam qenë në gjendje të përgjigjem pozitivisht për faktin e fokusimit në projektin e reformës brenda Kuvendit ose angazhimeve në Grupin Negociator. Por, miqve që na kanë ftuar, bashkë me falënderimin, u kam premtuar se ftesave të tyre do t’i përgjigjem sa më shpejt që të jetë e mundur.

Komunikim i hapur me media

Gjatë kësaj periudhe kemi vënë një komunikim të hapur me media. Dëshirojmë ta forcojmë këtë komunikim. Në shumë mënyra mendoj se e kemi bërë të ditur se jemi të interesuar t’ju trajtojmë si partnerë të vërtetë, sepse kjo do të jetë në interesin e ndërsjellë. Edhe ju, edhe ne, në fund të fundit, i shërbejmë qytetarit, i cili për juve është lexues, shikues apo dëgjues, ndërsa për neve është votues, zgjedhës, dhe na e ka dhënë votën e besimin për ta përfaqësuar. Ne kemi dëshirë që qytetari t’i njohë sa më mirë ligjet tona. Kjo mund të arrihet me ndihmën e medies. Pra, ju ftojmë që të jeni edhe me afër punës dhe aktiviteteve të Parlamentit. Veproni sipas rregullave dhe dyert (dhe dokumentet) e Kuvendit të Kosovës janë të hapura për ju. Në Parlament nuk ka sekrete. Çdo gjë mund të dihet, çdo gjë duhet të dihet - sepse është Parlament.

Kursime të konsiderueshme financiare

Kemi arritur të racionalizojmë shpenzimet pa dëmtuar aspak efikasitetin e punës. Kemi lënë anash vetëm atë që ishte luks, shpenzime të panevojshme. Dhe, më besoni, kjo listë e kursimeve nuk është e vogël. Ndryshim progresiv është bërë edhe në draftimin e buxhetit për vitin vijues. Për herë të parë kjo gjë po bëhet nga Komisoni për Buxhet dhe Financa, siç kërkohet me akte normative.

Kryeparlamentari Berisha pastaj u është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve të cilat kanë konsistuar në shkaqet e implementimit të pamjaftueshëm të ligjeve, për vonesat e shpalljes së disa ligjeve të tjera dhe sidomos për vendimin e Seancës plenare për të vazhduar ndërtimin e Qendrës Administrative-protokollare në Gërmi, si dhe për reagimet e opozitës për këtë vendim.

Kryeparlamentari Berisha ka thënë se vetë hapja e Kuvendit për pyetjet e deputetëve për punën e Qeverisë, mundëson edhe angazhimin më të madh të Qeverisë për të parë se si dhe sa po implementohen ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës. Çështjen e mosnënshkrimit të disa ligjeve të miratuara Berisha, ndërkaq, e ka lidhur me largimin e kryeadministratorit Petersen dhe vonimin e emërimit të kryeadministratorit të ri.

Lidhur me vendimin për vazhdimin e ndërtimit të Qendrës Administrative-protokollare në Gërmi, Berisha ka thënë se është pasur parasysh se çdo zgjidhje tjetër do të ishte më e dëmshme për interesin e vendit dhe të taksapaguesve të Kosovës. Ai ka theksuar se për parregullsitë dhe shkeljet e procedurave që kanë ndodhur, do të merren organet e tjera kompetente. Berisha, ndërkaq, ka pohuar se nuk ka marrë ndonjë shkresë nga opozita, por as nga UNMIK-u e OSBE-ja për vendimin rreth vilës në Gërmi.

Regjimi i Beogradit bën presion mbi deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës

Në interesimet e gazetarëve për mospjesëmarrjen e deputetëve serbë në seancat plenare të Kuvendit, Berisha ka theksuar se janë bërë të gjitha përpjekjet që deputetët serbë të kthehen në punimet e Kuvendit të Kosovës, por se nuk është arritur sukses, pikërisht për shkak të presioneve që u bëhen atyre nga regjimi i Beogradit.

Vendimin përfundimtar duhet ta japë Kuvendi i Kosovës

Në pyetjet e gazetarëve se a është i përgatitur mirë delegacioni i Kosovës për takimin e 24 korrikut në Vjenë me delegacionin serb, Berisha ka pohuar se delegacioni është mjaft mirë i përgatitur, por ka shtuar se për çdo marrëveshje të arrirë, vendimin përfundimtar duhet ta japë Kuvendi i Kosovës.

Për gjashtë muaj kursehen mbi 85 mijë euro

Këshilltarët e kryeparlamentarit Berisha, Ramë Manaj, But Dedaj dhe Skender Durmishi janë përgjigjur në shumë pyetje të gazetarëve për çështje të veçanta të funksionalizimit të Kuvendit duke dhënë edhe shifra konkrete sidomos për kursimet financiare që janë realizuar duke i mënjanuar shpenzimet e panevojshme. Vetëm në periudhën janar- qershor të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2005 janë shpenzuar 85 mijë euro më pak. Kursime të konsiderueshme janë arritur edhe në shpenzimet e bufesë, të karburanteve, të telefonave etj.

Nga konferenca për shtyp e kryeparlamentarit Berisha