Lajmet e fundit
Nga punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Kosovës
, 27.07.2006
Në Seancën e sotme plenare, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, deputetët kanë bërë pyetje të shumta për Qeverinë e Kosovës, të cilave u janë përgjigjur ministrat dhe zëvendësministrat e resorëve.
Në po këtë seancë deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për trashëgiminë kulturore, atë për Ndryshimin e Ligjit Nr. 2004/5 për tregti me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, si dhe atë për Parqet nacionale.
Kohën më të madhe seancës, ndërkaq e ka marrë shqyrtimi për herë të dytë i Projektligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ka pasur një rrugë të gjatë dhe të vështirë të ndryshimeve dhe të plotësimeve, sidomos të shtysave nga faktorë dhe mekanizma ndërkombëtarë me ndikim. Pas propozimeve të shumta të amendamenteve për këtë projektligj dhe miratimit të shumë prej tyre, projektligji është miratuar.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, po në këtë seancë ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, lidhur me bisedimet e Vjenës për përcaktimin e statusit të vendit. Ai ka paraqitur pozicionin e Grupit Negociator të Kosovës për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me statusin, si: decentralizimi, ruajtja e trashëgimisë kulturore, garancitë për të drejtat e minoriteteve, pastaj për çështje ekonomike, si : prona, borxhet e jashtme, sukcesioni etj.
Deputetët nga radhët e opozitës nuk morën pjesë në seancën plenare në kohën kur fliste presidenti Sejdiu .
Seanca vazhdon nesër për të shqyrtuar tri pikat e mbetura të rendit të ditës: propozimet e grupeve parlamentare për emërimin e anëtarit në Këshillin e KPM-së, propozimin e Qeverisë për emërimin e kryesuesit të Bordit të Rregullatorit të Energjisë, si dhe propozimin e ekzekutivit të vendit për emërimin e zëvendësministrit të drejtësisë, Altay Suroy.