Lajmet e fundit

Dëgjim Publik në Komisionin Parlamentar të ASHTKRS-së

, 28.07.2006




Ruajtja, mbrojtja, konzervimi, kultivimi e popullarizimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës nuk ka qenë në nivelin e duhur, nuk ka prezantuar ndonjë prioritet vërtet të veçantë të Kosovës . Kjo ishte rrjedhojë pos tjerash edhe e mungesave financiare, të fokusit tonë si shoqëri në aspekte të caktuara, por edhe mungesës së ligjit për trashëgiminë kulturore.

Versioni më i ri i Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore, i treti me radhë, i cili tashmë është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës është më gjithëpërfshirës dhe më praktik, duke krijuar një bazë të avancuar për mbrojtjen e një fushe të rëndësisë së veçantë. Projektligji përfill e reflekton standardet evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë. Ky Projektligj nga Grupi i Kontaktit është përcaktuar edhe si një nga prioritetet e veçanta në lëmin e standardeve.

Këto ishin disa nga konstatimet kryesore të dëgjimit publik lidhur me këtë Projektligj, të organizuar nga ana e Komisionit për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit.

Në këtë frymë të gjithë pjesëmarrësit ishin unik në konstatimin se duhet shpejtuar punët për amendamentimin e këtij Projektligji, në mënyrë që ai sa më shpejt të procedohet për shqyrtim të dytë në Kuvend. Në kuadër të debatit u dhanë edhe disa vërejtje , të cilat gjatë amendamentimit do të mund të kontribuonin në plotësimin e përcaktimin më të mirë të Projektligjit. Edhe në këtë rast u tha se ana gjuhësore lë shumë për të dëshiruar, ndaj është e nevojshme që në këtë aspekt Komisioni, mbi bazë të këtyre dhe vërejtjeve të tjera të ekspertëve, të bëjë saktësimet e nevojshme. Një tjetër vërejtje ishte që në nenin një pika e tretë, krahas vlerave arkeologjike dhe arkitektonike, të përfshihen edhe ato etnografike.

Dëgjim Publik në Komisionin Parlamentar të ASHTKRS-së