Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti kryetarin e AAK-së, Haradinaj
, 31.07.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Në takim morën pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti, Xhavit Haliti dhe Naim Maloku.
Gjatë këtij takimi u bisedua për ecuritë aktuale, zhvillimin e proceseve të gjithmbarshme në Kosovë, çështjen e realizimit të standardeve, ecurinë e takimeve të deritashme në Vjenë dhe nevojën për sa më shumë koordinim e bashkërenditje të punës në kuadër të Grupit të Unitetit. U diskutua poashtu edhe për reformat në Kuvend dhe mundësinë e veprimit me efikas të grupeve parlamentare, si dhe aspekte të realizimit të rolit të Kuvendit në këtë fazë të zhvillimit të proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova.
Kryetari i Kuvendit ka prezantuar në këtë takim aktivitetet e zhvilluara kohëve të fundit në Kuvend siç janë proceset e realizimit të reformës dhe planit të standardeve, si dhe aktivitetin legjislativ të Kuvendit. Kryeparlamnetari Berisha nënvizoi edhe aktivitetet e ardhshme, duke vënë theksin në rolin vendimtar që ka Kuvendi, si përfaqësues sovran i vullnetit të popullit, por edhe për rolin që duhet të ketë Kuvendi gjatë këtij procesi.
Z. Haradinaj ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të aktiviteteve për zgjidhje të statusit brenda këtij viti dhe ka ofruar mbështetje të parezervë punës së Kuvendit nga ana e subjektit që ai drejton, si dhe është zotuar për angazhim edhe më të fuqishëm të Grupit Parlamentar të AAK-së në aktivitete për realizimin e rolit të Kuvendit në këto procese të gjithmbarshme.