Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti Ministren e Jashtme të Hungarisë, Gënc

, 04.08.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot Ministren e Jashtme të Republikës së Hungarisë, Kinga Gënc, e cila shoqërohej nga shefi i Zyrës hungareze në Prishtinë, Zoltan Imecs dhe zëvendësshefin e kësaj zyreje, Zoltan Balacz. Është biseduar për zhvillimet në Kosovë, për bisedimet e Vjenës lidhur me përcaktimin e statusit të vendit si dhe për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve.

Kryeparlamentari Berisha, fillimisht, ka bërë një paraqitje të hollësishme të zhvillimeve të gjithmbarshme në Kosovë, duke u thelluar në mënyrë të veçantë në plotësimin e standardeve, reformat e ndërmarra në Kuvend dhe ligjet e rëndësishme, të miratuara kohëve të fundit.

Duke folur për bisedimet e Vjenës dhe procesin negociues lidhur me përcaktimin e statusit, Berisha ka theksuar se pavarësia e Kosovës është çështje e panegociueshme. Ai, ndërkaq, ka pohuar se serbët do t’i kenë të gjitha liritë dhe të drejtat, sipas konventave ndërkombëtare, ka përmendur të ashtuquajturin diskriminim pozitiv të pakicave në Kosovë dhe ka theksuar rëndësinë që institucione e vendit i japin kthimit të të zhvendosurve.

Ministrja e Jashtme të Hungarisë, Kinga Gënc, ka thënë se vendi i saj është i interesuar për një zgjidhje të pranueshme për Kosovën dhe për paqe e stabilitet të rajonit. Ajo ka vënë në spikamë rëndësinë e demokracisë parlamentare dhe në këtë vështrim është shprehur e bindur se për një bashkëpunim edhe më të frytshëm do të ndihmojë ministria e Jashtme e Hungarisë.

Në takim ka pasur pajtueshmëri të plotë për interesin e përbashkët të investimeve të firmave hungareze në ekonominë e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha, ndërkaq, në mënyrë të veçantë ka theksuar rëndësinë e bartjes së përvojave hungareze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeparlamentari Berisha priti Ministren e Jashtme të Hungarisë, Gënc